Një sulm vetëvrasës ka ndodhur pranë një kampi të trajnimit ushtarak në Somali, nga ku mbetën të vrarë të paktën pesë persona dhe 11 të tjerë u plagosën.
Sulmi i të shtunës në kampin në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu, u krye nga grupi i armatosur al-Shabab dhe vjen një javë pas dy shpërthimeve në kryeqytet që lanë të paktën 116 të vdekur, shkruan Al Jazeera.
Al-Shabab po kërkon të rrëzojë qeverinë qendrore të vendit dhe të vendosë sundimin e vet bazuar në një interpretim të rreptë të ligjit islamik.
Luftëtarët e saj u dëbuan nga kryeqyteti somalez në vitin 2011 nga një forcë e Bashkimit Afrikan. Por, ajo ende kontrollon zona të fshatit të Somalisë dhe ka shtuar sulmet që kur presidenti Hassan Sheikh Mohamud mori detyrën në maj dhe premtoi një “luftë të gjithanshme” kundër grupit.