I ftuar sot në “Wake Up”, për të folur për pjesëmarrjen e tij në filmin “5 herë jo”, aktori i humorit Agron Llakaj u pyet edhe nëse do të hynte në “Big Brother Vip 3” nëse do t’i vinte një ftesë.
Llakaj kujtoi pjesëmarrjen e Donaldit në BBVA1 dhe shprehjen që i tha atij gjatë vizitës së tij brenda shtëpisë në atë kohë, “Unë investova dhe të rrita për luan pylli, jo për luan kafazi…” dhe theksoi se në emisione të tilla artisti nuk mund të tregojë vlerat.
“Unë nuk kam asgjë me ‘Big Brother’, sepse mbaj mend se ku ka vajtur Donaldi, unë kam përcjellë një mesazh. I kam thënë Donaldit, ‘Unë investova dhe të rrita për luan pylli, jo për luan kafazi’. Është një jetë e mbyllur dhe duke qenë e tillë, është një projekt që njerëzit e mbështesin. Në momentin që në televizionin që investohet, kur shikon që ajo nuk ecën, natyrisht që nuk riinvestohet. Njerëzit e pëlqejnë, nuk e di… Nuk mund të them fjalën nuk e pëlqej… Nuk ka asnjë gjë të keqe, por nuk më duket se ai që futet aty tregon vlerat. Do të tregojë veten, më të mirat, le të vijë këtu në radio,” -u shpreh Llakaj.
Megjithëse nuk dha një përgjigje të qartë nëse do të hynte apo jo, duket se aktori i humorit nuk është i gatshëm të bëhet pjesë e një formati të tillë.