Policia ka dhënë detaje rreth vrasjes së një personi, pronar i një lokali, në Mitrovicë.
Sipas njoftimit nga Policia, personi i vrarë është A.M., 58-vjeçar, ndërkaq janë arrestuar dy persona.
Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprime të shpejta policore, në vendin e ngjarjes është gjetur një predhë dhe dy gëzhoja, ndërsa për një kohë të shkurtër janë identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar, si dhe janë sekuestruar një armë pistoletë, dorëza, një thikë dhe dëshmi tjera që ndërlidhen me veprën penale.
“Mbi bazën e veprimeve hetimore dhe provave të siguruara, dyshimet janë ngritur se dy të dyshuarit të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kanë hyrë në dyqanin e viktimës ku gjatë ballafaqimit me viktimën, njëri prej të dyshuarve ka shtënë dhe ka plagosur viktimën me pasojë vdekjeprurëse”, thuhet në njoftim.
Pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të rastit dy të dyshuarve M.H., 30-vjeçar dhe G.R., 19-vjeçar, u është caktuar masa e ndalimit policor.
“Në bazë të ekzaminimit të provave materiale, dy të dyshuarit e lartcekur dyshohen se kanë kryer edhe grabitjen e raportuar me datën 27 dhjetor 2021, ku cak i grabitjes ishte një barnatore. Policia falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre që të identifikohet drejtimi i ikjes së të dyshuarve dhe kjo ka rezultuar me arrestimin e shpejtë të tyre”, thuhet në njoftim.