Sot i shoh akterët politikë të Kosovës, duke i fërkuar duart si dikur në tregun e bagëtive. Kur shitej kafsha, ndërhynin tuxharët, duke ia komplikuar pazarin shitësit dhe blerësit. Bëhej aq zhurmë, sa ngjasonte në ndonjë rrahje, shkruan “Kosovarja”.
Ishte 25 prilli i vitit 1999, kur vendosa të dal me familje në stacionin hekurudhor në Lipjan, për të shkuar në Maqedoni.
Majlinda, e që aso kohe ishte nxënëse e shkollës fillore, në çantën shkollore kishte emrat dhe shënimet e masakrave të fshatrave Sllovi, Ribar, Hallaq, Gllavicë, por edhe shënimet e emrave të paramilitarëve serbë, që persekutonin fshatarët e rrafshit të Kosovës.
Më kujtohet, Dardani im i vogël, mbeti në derën e vagonit, i bllokuar nga turma që përpiqeshin të hipnin për të mos mbetur në Lipjan, aty ku stacioni ishte rrethuar nga policë dhe paramilitarë serbë, të hareshëm teksa këndonin këngë çetnike.
Si njeri i shëndetshëm i sportit që isha, me fuqi e kapa djalin për krahu dhe e ngreha në vagon, ku Dardanit të vogël i erdhi fryma pas ngulfatjes.
Nuk kishin faj njerëzit që shtyheshin, e nuk kisha faj as unë. Nuk kishte faj as Dardani. Ai që do të mbetej pa hipur në tren, do të përfundonte në thikat e paramilitarëve serbë.
Dhe, pas një kohe të gjatë e nën ethe, u nis treni në drejtim të Shkupit. E, pas një kohe të mundimshme, arritëm në Han të Elezit, me trenin famëkeq.
Jo shumë ditë më parë, po nga ai tren, ishte nxjerrë jashtë nga paramilitarët serbë profesori dhe ideologu, Fehmi Agani, bashkëpunëtori më i afërt i liderit Ibrahim Rugova.
Me të arritur në destinacion, nuk na lanë të dilnim jashtë paramilitarët, të cilët prisnin të futeshin brenda dhe të merrnin një vendim, nëse do ta kthenin trenin apo t’i hapnin dyert.
Por, meqë ra mbi ne një rigë e rrëmbyeshme shiu, ata ikën nëpër strehë e dyert e vagonëve i lanë hapur, ashtu që filluam të dilnim jashtë dhe u nisëm drejt kufirit. E, në zonën neutrale mbetëm shumë orë, deri pas mesnate…
Majlinda, më 26 prill, e kishte ditëlindjen. Gruaja nxori nga çanta e saj një kuti biskota, që ta festonim ditëlindjen e vajzës.
Gruaja u tha të gjithëve përreth të merrnin nga një biskotë për ditëlindjen e Majlindës. Secili që ndodhej afër iu afrua vajzës dhe ia preknin veshin në shenjë urimi.
Ajo, por edhe gjithë të tjerët, ishim bërë qull nga shiu. Ajo dridhej nga të ftohtit… Dhe, që nga ajo ditë kanë kaluar 21 vjet…
Nga ëndrra për liri, tek shteti i tuxharëve
Dhe, edhe pse kaluan 21 vjet, ne sot kemi ardhur në pozitë ta vrasim e lëndojmë shtetin tonë. Nuk po merren vesh udhëheqësit e politikës: kush kryeministër e kush president, kush ministër e kush drejtor… Kush deputet e kush kryetar komune…
Pra, një luftë e pakompromis për të hipur në fron dhe për ta vjedhur shtetin kush ku mundet…. Kërcënime e shantazhe, sharje e ofendime, gënjeshtra dhe luftë për pushtet…
Andaj, sot, shteti ynë, për nga tollovia, i përngjanë një tregu të bagëtive, ku dikush shet e dikush blenë…
Dhe tash, kur unë rikthehem në kohë, jeta në Kosovë më duket teatër tragjiko-komik. Më duket teatër cirku politik.
A mendon kush nga politikanët tanë se shteti ynë po shkon gjithnjë e më shumë kah dështimi i tij?!
Sot apo nesër do e thotë fjalën Gjykata Kushtetuese, që do të duhej të ishte një gëzim i madh që kemi gjykatë të pavarur, se ajo tregon që kemi shtet.
Por, edhe pse Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dalë me qëndrimin e saj, secili komenton qysh do vetë, secili flet sipas dëshirës dhe interesit të vet…
Dikush thotë do të ketë luftë nëse nuk bëhet si themi ne, dikush ndihet i gëzuar që Kushtetuesja do të vendosë në favorin e tyre, ndërkohë që ne, të gjithë, qemë gëzuar kur u shpallë Pavarësia dhe kemi kënduar e vallëzuar në sheshin e Prishtinës, të lumtur që e bëmë shtetin tonë…
Andaj, është koha të kthehen me mendje politikanët tanë se ku ishin 21 vjet më parë… Kthehuni dhe kujtoni Prekazin, Reçakun, Izbicën, Kosharen… Safet Krivaça /Kosovarja/