Tre anëtarë të familjes Gashi nga Peja mbetën të vdekur të dielën mbrëma në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi në fshatin Çubrel, në rrugën magjistrale Mitrovicë – Pejë.
Ky rast tronditi gjithë vendin, ndërsa familjarët e viktimave kanë ndarë dhimbjen e tyre të thellë për këtë humbje të pazëvendësueshme.
Një prej mesazheve prekëse ishte nga vëllai i një prej viktimave, i cili ka shprehur dhimbjen e madhe për vdekjen e motrës së tij dhe dhëndrit.
“Sikur të dija se është dreka e fundit me juve sot, do ta zgjasja deri në pafundësi. Të dini se s’do ta kem jetën e njëjtë pa ju të dy, engjëjt e mi që ma keni këput shpirtin. Lamtumirë motër, Lamtumirë dhëndër. S’do ju harroj kurrë, deri në takimin tonë të radhës.”, ka shkruar ai.

