E përzura burrin nga shtëpia, por ai e gjeti një tjetër e unë mbeta me gishta n’gojë!
Jam 50 vjeçe, e punësuar në një institucion shtetëror dhe me rrogë të mirë. Ndërkaq, burri punonte në një biznes privat.
Fëmijët janë rritur dhe janë bërë të aftë për vetveten.
Por, meqë unë e burri në pjesën më të madhe të ditës punonim, nuk na mbetej shumë kohë për t’u kujdesur për punët e shtëpisë dhe menduam që të merrnim një pastruese.
Dhe, pasi gjeta një të tillë që më përshtatej, punoi në shtëpinë time gati një vit dhe isha shumë e kënaqur me punën e saj.
Por, kënaqësia ime nuk qe jetëgjatë, sepse një mëngjes, pas daljes nga shtëpia për në punë, m’u kujtua se i kisha harruar syzet e punës dhe u ktheva t’i merrja.
Kur hapa derën e shtëpisë lehtë, sepse nuk doja t’i zgjoja fëmijët se ende flinin, çka me pa: im burrë e kishte rrokur për dore pastruesen dhe e kishte afruar afër vetes.
Në çast çdo gjë m’u rrokullis dhe nuk dija si të veproja. Shtanga. I shtrëngova grushtet e dhëmbët…
U ktheva prapa dhe dola jashtë, sepse nuk doja të mendoja se ata të dy ishin bashkë…
Nuk doja të mendoja se im burrë më kishte tradhtuar me pastruesen…
Nuk doja të dija se prapa shpinës sime kishin bërë gjëra të fëlliqura…
Në mbrëmje, kur pastruesja e kishte kryer orarin e punës e fëmijët dolën në qytet, pasi e shikova gjatë në sy tim burrë, i thashë:
Sonte fle në dhomën e mysafirëve, kurse në mëngjes merr rrobat dhe ikë nga shtëpia, nëse nuk dëshiron t’u tregoj fëmijëve se të zura për dore me pastruesen!
Ajo natë kaloi disi, edhe pse nuk bëra kurrfarë gjumi…
Në mendje m’u sollën mijëra mendime të këqija. Nisën t’më kujtohen se kohëve të fundit marrëdhëniet tona ishin ftohur bukur shumë, daljet tona ishin rralluar…
Të nesërmen e përzura burrin nga shtëpia dhe gjëja e parë që mendoja ishte ndarja. Nuk arrija ta besoja që më kishte tradhtuar me një njeri më të ulët se unë, jo se ishte pastruese, porse ishte në çdo aspekt më e ulët se unë.
Dhe, ndodhi çka ndodhi, ai mori rraqet e veta dhe ia mbathi dika. Pas një kohe një shoqe imja më tha se e kishte parë tim burrë një mëngjes teksa dilte nga shtëpia e pastrueses që ma prishi lumturinë.
Pra, ata dy tash bashkë e unë duke i kujtuar ditët tona të lumtura dikur…
Pra, kur u martova mendoja se i kisha të gjitha: shtëpi, punë, fëmijë të mrekullueshëm dhe burrë fantastik, me të cilin mendoja se do të plakesha.
Por, jeta po të dhënka edhe zhgënjime që as nuk ta pret mendja se do të të ndodhin pikërisht ty…
Rrahimja, Gjilan