Jam 29-vjeçare, e pamartuar dhe kam probleme serioze me gjetjen e fatit. Nuk po mund të përcaktohem për askënd, sepse fëmijëria ime ka qenë me shumë brenga e strese, e që kanë rrjedhur nga dhuna e babait që ia ka bërë nënës sime.
Nuk më hiqet nga mendja kur nënës i tha babai të bëhej gati për ta lëshuar shtëpinë… E, ne, fëmija, qanim pranë nënës, duke mos e lënë të shkojë.
Tash e kuptoj se kemi bërë mëkat që e kemi ndalur të jetojë për neve, sepse, ajo, me siguri, nuk do të ishte maltretuar nga babai, e ne do ishim rritur jetimë, por do kishim vuajtur vetëm për nënë e jo edhe për dhunën ndaj saj.
Zonja magjistare, unë nuk po mund ta gjej fatin. Jo që nuk kam oferta, por jam kompleksuar shumë dhe sa mendoj të vendosi diku, më kujtohen skenat kur nënën donte ta përzinte babai nga shtëpia dhe tërhiqem të mos bëj zgjedhje të fatit.
Më ndihmo, çka të bëj, të lutem? Si të sillem që ta tejkaloj këtë problem apo e ka shkruar Zoti të mos kem fat?
“E tmerruara”
Përgjigje:
Duhet ta relaksoni mendjen dhe të kuptoni se jeta i ka edhe problemet e veta. Jeta nuk është gjithnjë vetëm lule, por është edhe therrë që zor përbihet.
Babai ka pasur varfëri dhe nuk ka mundur t’ua plotësojë nevojat fëmijëve dhe, normalisht, në aso situate, ai është frustruar dhe nervozizmin e ka zbrazur te nëna juaj.
Babai e ka dashur nënën tuaj dhe nuk e ka pasur qëllimin ta largojë, sepse po ta kishte pasur edhe do e kishte bërë.
Ju nuk duhet ta shndërroni skamjen që e ka kaluar babai në urrejtje ndaj tij, sepse edhe ai ka pasur shumë sfida të rënda derisa u ka rritur juve. U ka shkolluar dhe ka bërë për juve shumë, sa zor do e kishte secili prind për fëmijët e vet.
E rëndësishme është të kuptoni se jeta bashkëshortore i ka problemet e veta, por ato nuk janë gjithnjë tmerr, por janë normale.
Mos e shikoni babanë tuaj vetëm përmes ndonjë të keqeje që ia mbani mend! Mundohuni t’ia kujtoni edhe të mirat që i ka barë ai për familje dhe ato janë shumë më të mëdha se të këqijat… Nuk hidhet në bërllok një shportë mollësh për një të kalbur!