Mavijosjet zakonisht shkaktohen nga një goditje që shkakton dëmtim të lëkurës ose indeve nën lëkurë. Megjithatë, mavijosjet mund të shfaqen edhe si shenjë e disa problemeve shëndetësore.
Duke qenë se lëkura nuk është e dëmtuar nga jashtë, nuk do të shihni të ashtuquajturën gjakderdhje të jashtme. Megjithatë, enët e gjakut nën lëkurë dëmtohen dhe shkaktojnë gjakderdhje. Në fillim, mavijosja duket e kuqe ose vjollcë, dhe më vonë bëhet blu, jeshile, kafe ose e verdhë.
Hematologia Dana Angelini shprehet se është normale të vërehen mavijosje të vogla në krahë dhe këmbë, por mavijosje të paprovokuara në trung, shpinë apo fytyrë mund të jenë shkak i disa problemeve shëndetësore.
Përveç lëndimeve, medikamentet si aspirina, ibuprofeni dhe antidepresantët, si dhe holluesit e gjakut, gjithashtu mund të shkaktojnë mavijosje.
Edhe suplemente të caktuara si xhensen, xhinko dhe vaj peshku mund të shkaktojnë këtë fenomen. Shkaqe të tjera të mundshme të mavijosjes janë mungesa e vitaminës B12, C ose K.
Vëmendje duhet t’i kushtohet gjithashtu çrregullimeve të gjakut si sëmundja e von Willebrand, hemofilia ose çrregullime të tjera të ngjashme të koagulimit të gjakut. Përveç kësaj, pirja e rëndë e alkoolit dhe kequshqyerja mund të çojnë në mavijosje.
Vizita te mjeku është e nevojshme nëse mavijosjet nuk zhduken pas shtatë ditësh, nëse ndodhen në një pjesë të trupit ku probabiliteti i lëndimit është i ulët dhe nëse ato vazhdojnë të kthehen.
Nëse mjeku juaj nuk e njeh shkakun e mavijosjeve, duhet të referoheni për një analizë të detajuar të gjakut.