I kthehemi të sotmes.
Sa zhgënjyese është!
Çfarë njerëzish jemi ne?
Ku na çon e gjithë kjo?
U harruan njerëzit që kanë bërë shumë për këtë vend e këtë popull!
U harruan ata, që dikur ishin dikush, në çdo pore të jetës, në përballje me përjetimet e zorshme të ditëve të përgjakura nga regjimi serb…
Tash, thua se çdo gjë ka filluar nga e djeshmja…
“Nuk jam i kënaqur me këtë situatë tonën të turbullt! Nuk kam vullnet për asgjë, bash për asgjë!”, më thotë im mik, e që rrallëherë e çelë gojën për ndonjë muhabet më të gjatë.
Sot, disi, pajtohem edhe unë me të…
Kot mundohesh, krejt konfuzion është bërë. Atëherë ishim e jetonim keq, ama ecnim drejtimit tonë. E tash, të lirë, por krejt në mjegull…
I jetoj ditët e pleqërisë. E rëndë dita, e aq më e rëndë nata, si për inati.
Në muret e dhomës ku qëndroj dhe e kaloj një pjesë të kohës duke “shkarravitur” ndonjë shkrim herë pas herë, shpesh më shkojnë sytë në disa portrete, të cilët kur i shikoj sikur më qortojnë e më fajësojnë për gjendjen e tashme, të sotme…
Më qorton Skënderbeu, Gjergj Fishta, Fan Noli, Konica, Hasan Prishtina, Azem Galica, Shaban Polluzha, Ibrahim Rugova, e edhe Adem Jashari.
Megjithatë, këtë shkrim po e përfundoj me thënien e shkrimtarit Ramiz Kelmendi: “Pse u dashka të vdesë njeriu që të na kujtohet vepra e tij?”.
Eh, sa emra kanë mbetur nën pluhurin e harresës, të cilëve u ka shkuar jeta në shërbim të kauzës shqiptare?!
Ç’kohë pritëm, he bacë! Gani Dili /Kosovarja/