Fotoreporteri, Ilaz Bylykbashi, ka publikuar foto të pa publikuara më parë të prindërve të Adem e Hamëz Jasharit.
Në fotot e publikuara nga Bylykbashi shihet nënë Zahidja në një portret të rrallë dhe në foton e dytë duke përshëndetur me dorë nga oborri i shtëpisë, ku Jasharët rëzistuan dhe luftuan deri në rënien e tyre në sulmet e 5, 6 dhe 7 marsit 1998-të, shkruan Gazeta Infokus.
Ilaz Bylykbashi ka treguar se në momentin kur është shkrepur fotografia, Zahide Jashari kishte thënë: “Na kanë mbështetë për muri, nga këtu s’kemi ku shojmë”.
Kurse në një foto shihet Shaban Jashari pas maltretimeve serbe që i ishin bërë atij dhe lagjeve Jashari, Kodra dhe Lushtaku, në atë që njihet si sulmi i parë mbi Jasharët në vitin 1991.
Bylykbashi është reporteri i cili me anë të objektivit ka dëshmuar ngjarjet më të rëndësishme për tri dekada me radhë.
Ai posedon një arkiv prej dhjetëra mijëra fotografish, e për të cilat ka thënë në emisionin N’Konak se askush nga institucionet nuk kanë pranuar ti marrin e t’i sistemojnë si dëshmi të represionit e dhunës së paparë të regjimit serb, sa Kosova ishte nën okupim.