Qeveria e Kosovës e ka miratuar sot propozim-vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për emërimin e Venera Çerkinit, vajzës së tezës të presidentes Vjosa Osmani, në pozitën e drejtoreshës së një agjencie brenda Ministrisë së Bujqësisë.
Venera Çerkini është përzgjedhur kandidatja më e suksesshme për pozitën e drejtoreshës së Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë (AZhB), sipas vlerësimit të një komisioni shtetëror pranues të themeluar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka propozuar sot vendimin për emërimin e Venera Çerkinit në pozitën e drejtoreshës së AZhB-së. Kabineti qeveritar e ka miratuar me shumicë të votave propozimin e Sveçlës, raporton Paparaci.
Emërimi i Çerkinit në këtë pozitë është në shpërputhje me vlerësimin që e kanë bërë britanikët në këtë konkurs.
Në vlerësimin e ekspertëve të Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë, Çerkini nuk është as në listën e ngushtë të kandidatëve që do të duhej të zgjidheshin në këtë pozitë.