Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër pas dështimit të themelimit të kompanisë komunale “Pastrimi”, duke akuzuar subjektin politik Vetëvendosje për sabotim të procesit.
Rama, përmes një postimi në Facebook, ka kritikuar asamblistët që nuk e mbështetën themelimin e kompanisë, duke thënë se pasojat e këtij vendimi po i bartin qytetarët e kryeqytetit.
“Me votën tuaj e latë qytetin në bërllog, lagjet ku jetoni vetë, rrugët ku ecin fëmijët tuaj, familjet tuaja. Krejt qytetarët e Prishtinës i lini në bërllog”, ka shkruar Rama.
Ai ka kritikuar edhe sjelljen e asamblistëve gjatë seancës së Kuvendit Komunal, duke thënë se qytetarët që u kanë dhënë votën mund të jenë të zhgënjyer me veprimet e tyre.
Rama e ka cilësuar të pakuptimtë mosmbështetjen e një vendimi që, sipas tij, synon zgjidhjen e problemit të mbeturinave në Prishtinë.
“Mos me votu me u hek bërllogu prej dyerve tona, prej lagjeve tona, prej rrugëve ku ecin fëmijët tanë, e kalon secilin nivel të logjikës. Kjo i bjen me punu kundër vetëvetes!”, ka deklaruar ai.
Në fund të reagimit, Rama ka ironizuar asamblistët duke u shprehur: “Seriozisht, jeni për studim!”.
