Numri i ri mbi artikull
Artikull i sponzorizuar

Rama: Shyqyr që iku Ibrahim Rugova pa parë edhe ai ndonjë video propagandistike për tradhtinë e tij

nga Revista Kosovarja

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se për të nuk ka nder më të madh sesa të akuzohet si tradhtar, bashkë me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Mbi artikull

Rama në diskutimin e sotëm në Kuvendin e Shqipërisë i kushtoi rëndësi kritikave ndaj tij, si dhe sulmet me video ndaj ish-kryeministrave e ish-presidentëve të Kosovës në rrjetet sociale, duke pyetur se çfarë video do të kishte parë Ibrahim Rugova për veten, por të ishte gjallë.

“Është mirë që teoricienët dhe praktikanët e patriotizmit elektoral ta dëgjojnë këtu sot se për mua nuk ka nder më të madh në raport me Kosovën se të jem i bashkëakuzuar me Hashim Thaçin si tradhtar dhe nuk ka provë më të madhe sesa kjo aktakuzë e përbashkët me Hashimin për dritëshkurtësinë dhe për papërgjegjshmërinë historike të përpiluesve të saj. Ata kujtojnë se lufta diplomatike me Serbinë fitohet duke zhgarravitur flamurin e fitores së lavdishme të UÇK-së, e cila do të jetë krenari shekujsh për shqiptarët, kur zhgarravitësit e sotëm të saj do të jenë harruar pa nam e pa nishan, meqë ra fjala”, tha Rama.

Kryeministri shqiptar tha “shyqyr që iku Ibrahim Rugova” pa parë se si, sipas tij, do të sulmohej tash.

Moneytizer Paragrafi 4

“Them me vetveten shyqyr që iku Ibrahim Rugova nga kjo botë pa parë edhe ai ndonjë video propagandistike për tradhtinë e tij dhe pa u kryqëzuar edhe ai me ato gozhdat e helmit digjital si ‘axha i Vuçiqit’”, tha ai.

Rama tha se kjo “nuk është rastësi”, por “vazhdimësia e një vije të vjetër uji të helmuar me nacionalizëm”.