Që nga viti 2001 e deri në vitin 2020, në SOS fshatrat e Kosovës janë regjistruar 489 fëmijë, të cilët ishin braktisur nga familja e tyre. Këta fëmijë i përkisnin moshës prej 0-3 vjeç.
Të gjithë fëmijët janë të veçantë, secili e ka storjen e tij.
Besnik Peci, udhëheqës i Kujdesit Alternativ, ka thënë se në këto SOS fshatra ka pasur fëmijë i cili ishte 5 vjeç dhe nuk ka qenë në dijeni se si duhet të hahet buka.
“Disa nuk kanë ditë as me hangër bukë, është dashtë me mësu 5 vjet lugën qysh duhet me kap, ose me ja provu shijet e ushqimeve që nuk i kanë provuar asnjëherë, për shkak se ka hanger veç bukë me ujë. Ka qenë shumë befasi për ta, sikur me shiju diçka që po të pëlqen shumë e të ka ikë deri tash pa e provuar”, tha Peci për Gazetën Express.
Në këto fshatra është SOS nëna dhe SOS tezja të cilat kujdesen për fëmijët, në mënyrë që të mos u mungojë dashuria e nënës. Por, ka pasur raste fëmijët nuk kanë ditur as të flasin, pasi sipas Pecit, kanë pasur ndjenja shumë të mëdha të frikës, sepse kanë kaluar nëpër trauma të ndryshme.
Por, ka edhe prej tyre që pas disa viteve janë ribashkuar me familjet e tyre biologjike. Udhëheqësi i kujdesit Alternativ na tregon emocionet që përjetohen kur fëmija bashkohet me nënën apo familjen e tij biologjike.
“Janë procese shumë të vështira emocionale edhe për neve, për arsye se po largohemi nga fëmijët që i kemi pasur nën kujdes, në të njëjtë kohë fëmijët vetë pasi ribashkohen, në qoftë se kanë qëndruar një kohë të gjatë dhe kanë krijuar një identitet të ri, pritojnë në raste të caktuara edhe me u ribashku”, tha Peci, duke shtuar se ribashkimi i tyre me familjet për ta është gëzim i madh pasi në disa raste është e pamundur ribashkimi me familjet biologjike, pasi nuk i kanë fare.
“Megjithatë, ribashkimi me nënën biologjike është një moment historik në jetën e atij fëmije. Ka pasur emocione të ndryshme, janë përcjellë me gëzim e me lot. Por gjithashtu edhe me lot mërzie pasi po largohen nga vendi ku janë rritur dhe thjesht pavarësisht në cilën periudhë bashkohen, ata përgatitet për këtë bashkim, por prapëseprapë emocionet janë intensive dhe të fuqishme”, shtoi Peci.
355 prej fëmijëve të braktisur janë adoptuar, ndërsa 47 janë strehuar nëpër familje. Por, ka edhe prej tyre që janë ribashkuar me familjen e tyre. 51 fëmijë deri sot janë kthyer në familjet biologjike. /Express/