Mund të përgatitet një ditë më parë dhe të ruhet në frigorifer duke i hedhur sipër me kujdes letër alumini, pa e ngjeshur mbi tortë.
Tava 20cm.
Paraprakisht, tavën e lyejmë me gjalpë të shkrirë me një penel, lyejmë edhe anësoret e saj dhe veshim me letër furre si bazën dhe anësoret duke u përpjekur që letra të dalë mbi anësoret e tavës në lartësi. Gjalpi në këtë rast shërben si ngjitës për letrën. I lyejmë me gjalpë dhe dy ekstremet e letrës që ato të ngjiten mirë me njëratjetrën dhe letra të krijojë një si tub në lartësi. Pandispanja fryhet shumë gjatë pjekjes dhe letra shërben që të mos derdhet jashtë tavës.
Përbërësit për pandispanjën:
250g miell 00 • 250g sheqer • 250g pana për ëmbëlsira nga frigoriferi • 3 vezë në temperature ambienti • 1 bustinë vanilje • ½ bustinë sodë për ëmbëlsira (8g) • na duhen gjithashtu (kremi për ta mbushur dhe mbuluar sipër) • 250ml pana nga frigoriferi • 300g djathë Philadelphia • 250g Mascarpone • 100g sheqer pluhur • 300g luleshtrydhe
Përgatitja:
1.Rrahim vezët(të verdhat dhe të bardhat bashkë) me sheqerin në robot për 15 minuta.
2.Në një tas hedhim nëpërmjet një site miellin, sodën dhe vaniljen. I shtojmë te vezët (kur kanë kaluar 15 minutat) me lugë dhe i përziejmë akoma në robot.
3.Bëjmë marengë me panën në rrahësin elektrik të vezëve. E shtojmë te brumi me lugë, por përzierjen kësaj radhe e bëjmë me spatul ose lugë druri, me lëvizje nga poshtë lart. Hedhim brumin në tavë dhe e pjekim për 50 minuta afërsisht në furrën e ngrohur më parë me 160°. Bëjmë provën me kruajtëse dhëmbësh e cila duhet të dalë e pastër. E lëmë mënjanë të ftohet mirë.
Ndërkohë, përgatisim kremin:
1.Në robot, bëjmë marengë me panën nga frigoriferi, shtojmë sheqerin pluhur dhe e rrahim edhe për 2 minuta.
2.Shtojmë me lugë djathin Philadelphia duke vazhduar përzierjen.
3.Shtojmë Mascarpone-n duke e përzier akoma. Kremi është gati.
Kompozimi i tortës: Kur baza të jetë ftohur plotësisht, e ndajmë në tre shtresa. Mbajtësen e tortës ku do ta prezantojmë, e mbulojmë me letër furre të prerë në mes. Kjo bëhet që ajo të mos spërkatet dhe në momentin final, i tërheqim letrat anash. Mbështesim shtresën e parë mbi letrën, e lyejmë me kremin e mësipërm, vëmë copa luleshtrydhesh, mbështesim shtresën e dytë, e lyejmë me krem dhe copa luleshtrydhesh edhe këtë dhe tani vendosim sipër shtresën e tretë. E lyejmë tortën sipër me kremin që na ka mbetur dhe e zbukurojmë me luleshtrydhe .