Gjatë ditës së djeshme në rrjetet sociale ka qarkulluar një thirrje për peticion ku është kërkuar shkarkimi i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.
Fidan Rekaliu, kryetar i forumit rinor të LDK-së, nëpërmjet një statusi në Facebook, deklaron se distancohen nga ky peticion të cilin e quan ‘’dashakeq’’
Reagimi i plotë:
Te dashur miq, anetarë dhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosoves,
Në portale të ndryshme po qarkullon një peticion kinëse në emër të rinisë së Lidhjes Demokratike për shkarkimin e kryetarit të LDK’së, Akademik Isa Mustafa.
Si Kryetar i Forumit të Rinisë së LDK’së dhe në emër të kësaj strukture, distancohemi nga ky peticion dashakeq që synon të shkaktojë perçarje dhe konfuzion.
Lidershipi i guximshem dhe vizionar i Kryetarit Mustafa, në një skenë shumë të egër politike dhe dashakeqe ndaj LDK-së dhe vendit, ka ruajtur qenësinë e LDK’se gjithë këto vite.
Nga komunikimi im i rregullt me strukturat e FR/LDK më është konfirmuar qendrimi që të rinjtë e LDK’së mbështesin lidershipin e kryetarit Mustafa dhe kryesisë në këto kohë sfiduese.
Jemi të bindur që qeverisja e re, e udhëhequr nga Prof. Dr Avdullah Hoti do të dëshmojë rëndësinë e vendimeve të ndërmarra për të shpëtuar aleancat strategjike, rikthimin e plotë të demokracisë në vend dhe rimekëmbjen e ekonomisë nga pasojat e shkaktuara nga Pandemia Covid-19.
LDK, edhe këtë herë, si gjithmonë mbetet unike dhe qëndron fort në mbrojtje të vlerave tona themeltare.