Moderatorja e njohur shqiptare, Roza Lati, e cila për vite me radhë drejtoi emisionin “Why Not?” në RTV Ora, ka kohë që është larguar nga ekrani, dhe mungesa e saj është ndjerë nga publiku. Së fundmi, në një InstaStory, ajo u është përgjigjur fansave që e pyesnin për arsyet e largimit nga televizioni.
Roza tregoi me sinqeritet se arsyeja kryesore ishte zhgënjimi i thellë që përjetoi ndaj mënyrës si funksiononte televizioni ku punonte. Ajo rrëfen se ndonëse e ka dashur dhe shijuar punën e saj, presioni psikologjik dhe mungesa e mbështetjes në momente të vështira e detyruan të largohej.
“E vërteta është që televizioni më është shpifur në këtë periudhë të jetës. Kur televizioni ku punoja u sulmua, shumë punonjës u larguan nga frika, dhe ne që mbetëm, përballuam gjithë barrën me mungesë stafi. Por publiku nuk duhej ta kuptonte – show must go on,” tha ajo.
Pas përfundimit të sezonit të fundit të “Why Not?”, Roza përjetoi një periudhë shumë të vështirë personale, përfshirë humbjen e dy qenve të saj të dashur, Petit dhe Sashës, si dhe një shtatzëni të dështuar. Ajo përmendi edhe pjesëmarrjen në Big Brother VIP Albania 3, ku thotë se i janë bërë padrejtësi dhe se ka mbetur e zhgënjyer nga drejtësia dhe profesionalizmi në disa media.
“Po shoh njerëz pa përvojë që drejtojnë programe, që nuk dinë të flasin e as të transmetojnë emocion. Po i vendosin kufje në vesh dhe diktohen në kohë reale. Profesionisti nuk vlerësohet më – dhe profesionisti kushton,” theksoi ajo duke bërë që të dyshohet se këta kunja i drejtohen Heidi Bacit pasi u përfol atëbotë që emisioni i premtuar Rozës iu dha asaj në minutë të fundit.
Megjithatë, Roza i gëzoi fansat me lajmin se do t’i rikthehet ekranit madje më fuqishëm dhe më profesionale se kurrë më parë. Ajo premton jo vetëm një rikthim personal, por edhe bashkëpunim me profesionistë të tjerë të zhgënjyer nga televizioni aktual, të cilët, siç shprehet ajo, ndajnë të njëjtin qëndrim.
“S’kam mbaruar me ekranin. Do rikthehem. Dhe jo vetëm. Por me një grup profesionistësh që, si unë, janë lodhur nga mënyra si po zhvlerësohet televizioni sot,” shkroi ajo.
Për momentin, Roza thotë se po i përkushtohet vetes, familjes dhe dashurisë. Ne i urojmë shëndet, forcë dhe suksese në gjithçka që ka në plan!