Një person ka vdekur si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në autostradën “Arbën Xhaferi”, pasi kamioni të cilin po e voziste u rrokullis.
“Në ora 15:40, është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në autostradën ‘Arbën Xhaferi’, kilometri i 14-të drejtimi Ferizaj-Prishtinë. Në aksident është përfshirë vetëm një automjet (kamion) i cili ka përfunduar jashtë autostradës”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Sipas policisë, ekipi mjekësor ka konstatuar se drejtuesi i kamionit është pa shenja jete.
Ndërkohë, policia, prokurori dhe njësitë tjera kanë dalë në vendngjarje për të realizuar procedurat lidhur me aksidentin.