Jam duke kaluar një periudhë të tmerrshme për shkak të fundit të një historie dashurie me një grua të martuar. Fatkeqësisht, nuk mund të flas me askënd për këtë histori dhe kështu po u shkruaj sa për t’u shfryrë paksa, sepse nuk mundem më ta mbaj gjithë dhimbjen brenda vetes, shkruan “Kosovarja”.

Punonim bashkë. Ajo është më e vjetër se unë. Është shumë e bukur, e martuar para dhjetë vjetësh.

Gjithçka nisi rastësisht. Patëm një pëlqim dhe tërheqje për njëri-tjetrin, por gjithnjë silleshim me respekt dhe pa i rënë në sy tjetrit që kishim interes.

Në natën e Vitit të Ri, të vitit të kaluar, kur edhe i uronim njëri-tjetrit festën, u puthëm.

Që nga ai moment lindi gjithçka, nisëm të flasim në telefon shumë shpesh, madje u lidhëm shumë me njëri-tjetrin.

Herën e parë që u ritakuam bëmë dashuri dhe i thamë njëri-tjetrit: “Me sot mori fund!”.

…por, nuk mund të rrinim pa njëri-tjetrin
Vazhduam, kështu, të takoheshim gjatë gjithë vitit dhe e gjitha në fshehtësi të plotë. Çdo herë që bënim dashuri i thoshim njëri-tjetrit se historia jonë duhet të merrte fund për shkak të situatës në të cilën ndodhej ajo, meqë ishte grua e martuar.

E dinim të dy shumë mirë që nuk mund të ishim kurrë bashkë dhe fshehtësia po na lodhte. Gjithnjë afroheshim edhe më shumë dhe ndihesha keq sa herë që mendoja se pasi ndahej nga unë shkonte në shtëpi te tjetri, te burri i saj.

Në fillim gjithçka ishte për mrekulli… Më dukej se e njihja që moti, e jo para një viti…

Por, dalëngadalë ajo filloi të ftohej prej meje, sepse kishte edhe obligime familjare, andaj edhe filluan grindjet ndërmjet nesh, aq sa një ditë edhe nuk më foli fare…

Provova t’i shkruaja natën dhe ajo nuk më përgjigjej, por e dija se ishte në linjë në internet, andaj më jepte të kuptoj se nuk dëshironte të flasë me mua.

Dyshoj se ka gjetur tjetër, sepse, nga koha sa kemi qenë bashkë, e kam kuptuar se ajo veç burrit dëshiron gjithmonë ta ketë edhe një tjetër…

Por, ditën tjetër mu afrua vetë…
Fillimisht më tha se nuk i kishte parë mesazhet, më pas më tha se ishte mërzitur me mua dhe, prandaj, nuk donte t’më përgjigjej.

Dhe, si përfundim, më tha se nga mesazhet e mia e kishte kuptuar se mes nesh ka marrë fund çdo gjë…

Por, pas një kohe u afruam përsëri bashkë, por nuk ishte asgjë si në fillim. Nuk mund të qëndroj pranë saj pa e dëshiruar.

Ajo më përkëdhel, m’i shtrëngon duart, por nuk do që të bëjë dashuri me mua! Më thotë se më do, por…

Nuk më telefonon më dhe, në disa raste, sillet normalisht me mua e në raste të tjera bëhet agresive.

E kam njohur mirë dhe, ndoshta, më shumë se bashkëshorti i saj dhe e di mirë që nëse tani sillet në këtë mënyrë, e bën sepse ka një tjetër, por nuk dua që ta pranoj, sepse unë e dua.

Si t’i fshij të gjitha kujtimet?
Tani jam penduar. Dua t’i fshij të gjitha kujtimet e vitit të fundit, dua ta fshij edhe atë nga jeta ime, por nuk e bëj dot.

Ndërkohë, ajo e ka bërë këtë pa asnjë problem. Ndoshta ajo është, thjesht, një grua e mjerë dhe e pasigurt që ka nevojë të ndihet e dashuruar nga bukuroshi i rastit. B. /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË