Sarma me fleta të freskëta lakre? Po e dëgjuat mirë. Vetëm kujdesuni që fletat e lakrës që do të përdorni, të mos jenë shumë të forta.
Përbërësit:
1 lakër e freskët
Për mbushjen:
1 qepë
500 gr mish të bluar
1 lugëz kripë
piper i kuq i bluar
piper i zi
gjethe magdanozi
1 lugë gjelle oriz
Plus:
150 ml vaj
500 ml lëng domateje
2-3 lugë gjelle sheqer
mëlmesa (vegetë, trumëz e piper i zi)
Më ndhmën e thikës, largojini gjethet e jashtme të lakrës. Pastaj atë futeni në ujë të vluar. Në momentin që gjethet e lakrës nisin të shkëputen, largojini me ndihmën e pirunit e vendosini në një pjatë. Kur të jenë ftohur, largojuni pjesën e fortë dhe bëjeni mbushjen njësoj siç veproni me lakrat turshi. Mbështillini në formë roleje dhe renditini në tavën përkatëse. Pastaj hidhjani vajin e më pas lëngun e domates bashkë me përbërësit e tjerë. Sarmat mbulojini me lëng të bollshëm, por kujdes mos e teproni. Tavën e mbushur me sarma vendoseni në furrën e ftohtë. Furrën pastaj lëshojeni në 220 gradë. Pas një ore, sarmat duhet të jenë gati. Nëse jo, vazhdojeni pjekjen edhe për pak kohë, derisa të marrin një ngjyrë të bukur. Pastaj, sarmat rrotullojini në anën tjetër e temperaturën e furrës uleni në 150 gradë. Vazhdojeni pjekjen edhe për një orë, derisa sarmat të skuqen mirë. Nëse gjatë pjekjes vëreni që sarmat kanë ngelur pa lëng të mjaftueshëm, mund t’u shtoni ngapak ujë. Ju bëfshin mirë