Serbia po u kthehet skenarëve të viteve 1981-1990, për t’i akuzuar shqiptarët për minim të bisedimeve me Serbinë, shkruan “Kosovarja”.
Këto ditë presidenti i Serbisë, Vuçiç, mobilizoi propagandën serbe me rrëfimet për kinse ardhjen e dronëve nga Kosova në Serbi.
Dy ditë më vonë tha se KFOR-i shpesh lanson dronë për vëzhgimin e terrenit kufitar…
Po ashtu, propaganda e koordinuar serbe e shfaqi nëpër botë storien në shtëpinë e të moshuarve në Pejë, ku të moshuarën e rrahur nga një infermiere e paraqet si dhunë e shqiptarëve ndaj një gruaje të moshuar serbe…
Dhe, skenarët serbë po ndodhin mu në kohën kur është aktualizuar dokumenti Franko-Gjerman për zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi, si dhe pas Konferencës së Berlinit për tri marrëveshjet e nënshkruara nga shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Shtypi i Beogradit menjëherë e ka akuzuar kryeministren serbe Bërnabiç se me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve, ku është edhe Kosova, de fakto, e ka pranuar shtetin e Republikës së Kosovës.
Andaj, skenarët janë përsëritje e historisë së viteve 1981-1990, kur serbi me emrin Gjorgje Martinoviq e kishte lënduar prapanicën me shishe birre për t’i akuzuar shqiptarët se e kanë dhunuar!
Dhe, po në ato vite, kur Serbia përgatiste rrënimin e autonomisë së Kosovës të fituar më 1974, serbët i vandalizonin edhe varrezat serbe në Kosovë, me qëllim të akuzimit të shqiptarëve…
E, sot ata që bëjnë propagandë serbe kundër shqiptarëve të Kosovës është “Lista Serbe”, e cila luan rolin e agjenturës kriminale.
Andaj, edhe vetë serbët e Kosovës “Listën Serbe” e cilësojnë “organizatë kriminale”, e cila po e shtypë komunitetin serb në Kosovë, duke u qëndruar mbi kokë vazhdimisht që të realizohen planet e Vuçiçit nga Beogradi.
Mirëpo, tash kur bashkësia ndërkombëtare me SHBA-të dhe BE-në e kanë ndryshuar politikën ndaj Serbisë, pas agresionit rus në Ukrainë, Serbia do të përdorë skenarë propagandistikë si në vitet 81-90 për qëllimet e veta kundër Kosovës.
Por, dallimi ndërmjet propagandës së tashme dhe asaj të kaluar është i madh, sepse, për dallim nga atëherë, tani bashkësia ndërkombëtare është në Kosovë dhe komunikimi me qendrat e vendosjes është shumë i koordinuar. Safet Krivaça /Kosovarja/