Ashtu siç kishte ndodhur pak javë më parë, sërish sot Policia e Kosovës mori telefonatë anonime me kërcënimin për mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve, por megjithatë nuk është gjetur asgjë.
“Rreth orës 08:30, kemi pranuar një telefonatë anonime, përmes së cilës një person ka deklaruar se ka vendosur mjete shpërthyese në Stacionin e Autobusëve, në Prishtinë”, tha zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ahmeti tha për Gazetën Online Reporteri.net se menjëherë policia ka ndërrmarë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë.
“Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës. Informata është trajtuar nga ana e policisë. Pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjetë asgjë e dyshimtë. Njësitet policore janë tërheq nga ajo zonë, ndërkohë që hetuesit kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, tha Ahmeti.