Offchestra është një prej grupeve më të vecanta në tregun muzikor shqiptar, teksa prej vitesh sjellin projekte mjaft interesante, ndërsa ditën e sotme solisti i tyre, Sezgin Curi, ka qenë i ftuar në “Pardon My French” në Top Albania Radio, ku ka zbuluar disa detaje nga rrugëtimi tashmë i gjatë i grupit në muzikë.
Fillimisht ai nuk ka hezituar ta quajë “Top Media”-n si “shtëpinë” e Offchestra, duke rrëfyer edhe krijimin e grupit në vitin 2011:
“Top Channel është ajo shtëpia që ne si OFFCHESTRA, si vokalistë na ka lançuar. Prej vitit 2011 dhe deri në 2013 ishte edhe njëfarë tranzicioni, kemi pasur dhe kemi ndërruar këngëtarët në grup sepse edhe ne si formacion kemi bërë muzikë edhe me band-e të tjera, por që ai formacion si OFFCHESTRA kur kemi dalë e kemi pasur fokusin më shumë tek instrumentalet edhe disa këngë prej këngëtarëve që i kemi zgjedh ‘random’.”
Ndërkohë për herë të parë ai ka rrëfyer për Jonida Alickollin dhe Elona Duron historinë e “përplasjes” së tij dhe artisëve të tjerë të grupit “Zig Zag” me Dren Abazin, ngjarje që solli edhe ndarjen e tyre dhe lindjen e Offchestra-s:
“Ka një histori tjetër që unë zakonisht nuk e kam folur dhe kjo është hera e parë që po flas se njerëzit na kanë parë. Në 2008 jam kthyer nga Turqia dhe tani gjatë karrierës këtu në Kosovë e kemi nisur me një formacion që ka qenë i formuar atëherë prej Drenit dhe unë kam qenë pjesë e ‘Zig Zag’-ut. Unë kurrë se kam folur është hera e parë. Në vitin 2011 e kemi pasur një ‘crash’ shumë të madh mes grupit, muzikantëve të grupit dhe solistit dhe i gjithë grupi u nda. Nuk e kam folur asnjëherë dhe nuk kam pasur qejf ta flas. Ndodhi një përplasje dhe u ndamë, ne kemi qenë muzikantë në atë kohë që kemi formuar atë formacion që kemi vazhduar muzikën që kemi bërë. Ka qenë koha e këngës ‘Ti dhe Unë’ i gjithë ai regjistrim, por nga aty ndodhi një thyerje, e fundit ka qenë në Angli. Këtë unë e kam folur këtu dhe se besoj më që do e flas. Unë kurrë nuk e kam përmendur më parë dhe kurrë nuk kam për të folur më. Formacioni i tanishëm për ne është një kthesë e madhe në 2013 që ‘A bon’ që kemi thënë ‘Hej!’.”
Një moment tjetër interesant i treguar nga Sezgini ka qenë ai i pjesëmarrjes në “Festivalin e Këngës”, teksa shprehu dëshirën për ta përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion me grupin e tij:
“Kënga jonë “Bajram” ishte në garë për të shkuar në Eurovision tek Festivali i Këngës, po edhe aty e kemi një rast shumë të veçantë. Agim Doçi doli dhe tha që ja këta po dalin dhe po përmendin Bajram e festa, po përmendin gjëra fetare. Unë e thashë që më vjen keq sepse nuk jemi duke i përmendur, unë them ‘me pi’, pra e përmend. Faktikisht kur je i pirë nuk ke lidhje me asgjë. Ne u skualifikuam në gjysmëfinale dhe në finale e fituam çmimin që ishin votimet e publikut.”
Nëse na thonë ‘Hajdeni’, do marrim pjesë. Nëse na shikoni aty dijeni se na kanë premtuar që do të fitojmë.(qesh) E meritojmë, e di që çdo artist që ka shkuar por besoj që OFFCHESTRA do të kishte munduar që të sillte një këngë të kohës. Premtojmë këngë ‘up to date’ për Eurovision.”