Punonjësit e bizneseve të shitblerjes, shpesh herë përballen me pakënaqësinë e personave që blejnë produkte. Ka shumë nga dyqanet që nuk praktikojnë që produktet e blera të kthehen apo ndërrohen, duke bërë që blerësit të bëjnë veprime të pakontrolluara.
Një rast i tillë ka ndodhur në mëngjesin e djeshëm në qytetin e Suharekës, ku një grua dyshohet se ka sulmuar fizikisht punëtoren e një butiku.
Sipas “GazetaSinjali” gjithçka ka ndodhur pasi e panjohura kishte shkuar në dyqan që ta kthejë një fustan.
Punëtorja e dyqanit kishte refuzuar që t’ia kthejë paratë të cilat i kishte paguar klientja, gjë që e nervozoi gruan dhe e mllefosi e më pas e sulmoi fizikisht 21-vjeçaren, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Viktima është detyruar të pranoj ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që ka denoncuar edhe në Polici.
Me të marrë informatën, njësitet policore janë vënë në lëvizje që ta identifikojnë të panjohurën.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar si ‘Lëndim i lehtë trupor’, ndërsa kanë nisur hetimet për kapjen e të dyshuarës.