Mr. Dapper është brendi i këpucëve luksoze, i cili në trojet shqiptare u bë i njohur përmes një emri, Albert Gjukajt, njeriut të rrallë që ia del suksesshëm të krijojë këpucë unike, luksoze dhe të jashtëzakonshme në dizajn dhe cilësi.
Albert Gjukaj është artist në zanatin e tij, meqë krijon përtej fantazisë e imagjinatës së zakonshme.
E, kush është realisht ky njeri, me pasion e përkushtim kaq të rrallë për këpucët? Cila është historia dhe tregimi i tij?
Nëse kthehemi në të kaluarën tuaj, çfarë duhet të dimë?
– Jam Albert Gjukaj, nga Strellci i Deçanit, por me vendbanim në Cyrih të Zvicrës. Këtu jetoj qe 30 vjet me familje.
Aktivitetin tim e zhvilloj në Luzern. Jam bashkëpronar i kompanisë Mr. Dapper në Luzern.
Ndonjë moment që e ka shënuar fëmijërinë e rininë tënde të hershme?
– Shkaku i disa përjetimeve në rini, kam pasur më pak vetëbesim gjatë fazës së hershme të fëmijërisë. Mirëpo, kur bleva këpucët dhe kostumin tim të parë, e vërejta që më ndihmonte të ndihem më mirë dhe të kem më shumë guxim në ndjekjen e ëndrrave të mia të vërteta.
Dhe, më duhet të them se që nga fëmijëria më befasojnë produkte me detaje specifike.
E, merakli ishte edhe gjyshi im, i cili e mbante veshjen si zotëri nga mëngjesi deri në mbrëmje, kudo që ishte.
A ishte qëllimi yt në jetë të bëheshe ky që je sot?
– Patjetër, po. E, këtë dua ta dëshmoj edhe në kampionatin botëror për këpucë dhe këpucëtarë që mbahet sivjet në Londër.
Ku e ka zanafillën pasioni yt për këpucët?
– Si i vogël më pëlqenin njerëzit që visheshin me kostume dhe këpucë të bukura.
Gjatë fëmijërisë sime, në vitet 80, ndikoheshim shumë edhe nga filmat dhe stili i veshjes njujorkeze të asaj kohe, stil të cilin vendosa ta veçoj dhe ta shndërroj edhe në profesionin tim.
Pra, mund të them se pasioni im për këpucët nisi qysh moti në jetën time.
A mendoje se ky zanat e kjo punë mund të ketë të ardhme?
– Unë, personalisht, mendoj se njerëzit tani kanë më shumë kujdes dhe informata për shëndetin e tyre.
E, duke qenë se këpucët janë një ndër aksesoret më të rëndësishëm, patjetër, kishte interesim për kualitet dhe cilësi të lartë të materialit.
“Fast fashion” ishte një industri në rënie dhe, kështu, vendosa t’i përkushtohem pasionit të ëndrrës sime që nga fëmijëria.
Pastaj, siç dihet, me punë, përkushtim e pasion sukseset vijnë vetvetiu…
Ne bashkëpunojmë me biznese familjare me traditë të gjatë, të cilët diturinë e tyre mbi 200-vjeçare e kanë trashëguar në këtë industri nga Londra, Milano dhe Parisi.
Nga këpucëtar, në maestro këpucësh luksoze. Cila ishte rruga nga fillimi deri këtu?
– Rruga për të arritur te ajo që dëshirojmë shumë rrallë është e lehtë. Ëndrra ime ishte gjithmonë që ta kem butikun tim për xhentëlmen në Zvicër, që ta kujtojmë Nju-Jorkun e viteve 80.
E, me punë e dashuri ndaj profesionit tim, kam arritur që t’i bind edhe disa investitorë, njerëz shumë të suksesshëm në profesionet e tyre, që ta hapim butikun dhe t’i ofrojmë shërbimet tona për klientët.
A kishte sfida, vështirësi dhe nëse po si ia dole?
– Po, sfida ka gjithmonë dhe rruga nuk ishte aspak e lehtë.
Në fakt, sfida dhe vështirësi kemi akoma, meqë nuk kam arritur ende atë që e kam dashur gjithmonë, pra titullin e kampionit në punën që bëj.
Sot, njiheni si Mr. Dapper. Na fol më shumë për biznesin tënd dhe atë se çfarë bën e çfarë ofron?
– Mr. Dapper është një biznes aksionarë me butikun në Luzern dhe butikun online.
Merremi me shitjen, riparimin dhe dizajnimin e këpucëve me porosi për klient individual, e, po ashtu, na vizitojnë në butik edhe njerëz nga gjithë bota.
Në asortimentin tonë kemi edhe çanta, jakne e aksesorë nga lëkura të ndryshme, të cilësisë së lartë për xhentëlmenë.
Njerëzit e dinë tashmë se produktet tona janë të veçanta dhe porositë janë individuale, pra me masa të veçanta për secilin klient.
Këpucët tona ofrojnë një vezullimë dhe qëndrueshmëri të gjatë, e, gjithashtu, janë të shëndetshme dhe të rehatshme për këmbët e tyre.
Me çfarë lëkurash punon?
– Lëkurat që përdoren për krijimin e këpucëve tona janë të ndryshme. Kemi mbi 80 prej tyre.
Zakonisht, përdoret lëkura e viçit për modelet standarde, ndërkaq lëkura e preferuar imja është ajo e aligatorit.
Dua të theksoj se lëkurat, e edhe materialet që ne i përdorim, janë të certifikuara nga “CITES”, e cila garanton mbrojtjen maksimale të kafshëve dhe kualitetin e produkteve.
Me këtë certifikatë ne eksportojmë produktet tona në tërë botën…
A punoni me porosi dhe a ka ndonjë personalitet të njohur për të cilin keni punuar këpucë?
– Burimi ynë kryesor i punës vjen nga porositë individuale dhe, siç dihet, xhentëlmenët janë njerëz që duan ta ruajnë privatësinë e tyre.
Andaj, për këtë arsye, i publikojmë në rrjete sociale vetëm ata klientë që duan t’i ekspozojnë këpucët tona.
Këpucët më të shtrenjta në Mr. Dapper?
– Këpucët më të shtrenjta që kemi krijuar deri tash janë për një klient privat dhe kapin vlerën mbi 20 mijë euro.
Por, gjithçka varet nga kërkesat e klientëve. Në butik kemi edhe këpucë qe fillojnë nga 290 franga dhe aksesorë të ndryshëm me vlera më të lira.
A punoni edhe seri, apo vetëm me porosi?
– Kemi modele serike të prodhuara në Evropë, por zakonisht punojmë me porosi me përmasa individuale.
A ka shqiptarë që blejnë?
– Ka, madje shumë. Janë sportistët ata që kujdesen për shëndetin e këmbëve të tyre më shumë se të tjerët, politikanët për paraqitje sa më impozante dhe biznesmenët e suksesshëm që shijojnë suksesin e tyre.
Kujt nga personalitetet botërore ose shqiptare do ia bëje një parë këpucë? Kush do doje t’i mbathte këpucët e Mr. Dapper?
– Xhems Belushi është personazhi për të cilin do ia punoja me shumë dëshirë një parë këpuce unike.
Ti, a bën jetë luksi?
– Mund të them se puna ime sot më lidhë me jetën e luksit dhe më duhet të udhëtoj anembanë botës.
Mirëpo, unë jetoj si një familjar i thjeshtë dhe gjithmonë në radhë të parë është familja.
Sidoqoftë, jam i pasionuar pas produkteve dhe veshjeve me cilësi të lartë.
Kryesisht punojmë dhe shërbejmë njerëz që bëjnë jetë luksoze.
Diçka përtej zanatit, punës, biznesit?
– Jam i martuar dhe i kam tre fëmijë.
Kohën e lirë, zakonisht, mundohem t’ia kushtoj familjes, edhe pse është shumë e pakët.
Më pëlqen të marrë pjesë në evenimente të ndryshme VIP-ash ose sfilata të modës së lartë, ku, zakonisht, jam i ftuar nga partnerët dhe kolegët e punës.
Hobet, dëshirat, ambiciet?
– Hector: Highend fashion është pasioni im.
Ambicia ime është të arrij piedestalet në kampionatin ndërkombëtar për këpucëtarë në Londër, sukses me të cilin do i gëzoja familjen dhe krejt stafin e Mr. Dapper.
Dëshira ime është t’i përfaqësoj gjithë shqiptarët në mënyrë sa më dinjitoze dhe të kthehem me fitore.
Mesazhi yt?
– Misioni im është me promovuar që këpuca mund të ndryshojë shumë gjëra në jetë dhe t’u tregoj njerëzve se si bëhet kjo.
Misioni im është promovimi i faktit se këpuca mund të ndryshojë shumë gjëra në jetë.
Mesazhi që dua të përcjell është se secili duhet t’i ndjekë ëndrrat e tij dhe të punojë pa hezitim.
Jam i hapur për të gjitha temat rreth këpucëve, andaj mund t’më kontaktoni me pyetje dhe ide të ndryshme rreth kombinimeve sipas stilit “Gentelman”.
Të faleminderit për intervistë!
– Faleminderit juve!
Nderim Neziri