fbpx

Shumë intelektualëve u mungon nga një “dërrasë”!

nga Revista Kosovarja

 

Çdo ditë kafenë e mëngjesit e pi me shokë të Redaksisë.
Bisedojmë për mbarëvajtjen e punëve në Redaksi, për detyrat e reja, për përditshmërinë tonë, e edhe për politikë, sepse këto ditë qe fitorja e Trampit në Amerikë…
Madje, temë diskutimi ditë më parë ishte edhe puna e disa intelektualëve tanë, të cilët mundohen ta bindin popullin se janë baballarët e kombit, e, në fakt, secili prej nesh, që i ka kaluar të 70-at, i njeh mirë kush kanë qenë…
Këtë herë, bashkë me një shkrimtar tonin shumë të nderuar e të respektuar, u zu në gojë edhe puna e historisë, e cila është shkruar sipas kohës dhe njerëzve të cilët janë marrë me histori.
Pra, nga historianët…
Një historian yni në vitet 80 shkruante se Bedri Pejani ka qenë tradhtar i popullit!
E, pas lufte, po i njëjti, ka botuar libër për Bedri Pejanin dhe shkruan se Bedri Pejani është hero i kombit.
Por, nuk është vetëm ky rast…

Zhurma e veturave dhe e motoçikletave në kupë të qiellit!
Në pjesën e qytetit ku ndodhen lokalet e Redaksisë, pra në pjesën e qytetit të vjetër pranë Shkollës Fillore “Elena Gjika”, ka frekuentim të madh të veturave, të cilat më shumë fishkëllejnë sesa ecin, ngase gjithsecili dëshiron të kalojë sa më shpejt, kurse pengesa ka shumë, meqë, veç rrugës së ngushtë, nxënës dhe njerëz ka me bollëk…
Por, sirenat e veturave nuk janë asgjë karshi atyre që me xhamin e veturës hapur dëgjojnë këngë rep, herë-herë edhe këngë folklorike me zë shumë të lartë, siç thuhet, në kupë të qiellit.
E, ata as që brengosen nëse ti je në kafene duke biseduar me tjetrin, meqë, në ato çaste, as që mund të komunikosh nga zëri i lartë që vije nga muzika në veturat që ndalen shkaku i ngarkesës së madhe, si në pikën kufitare në Vërmicë!
E, edhe më keq është kur kalon ndonjë me motoçikletë: I jep gaz të madh, aq sa detyrohesh t’i mbyllësh veshët!
Dhe, pa dashje, më dalin fjalët: Ne, shqiptarët, nuk i kemi të gjitha dërrasat, sepse shumicës u mungon ndonjë!
Dhe, mu këto gjëra më dhanë idenë për këtë shkrim, për këtë frymëzim jo të mirë, për këtë frymëzim të pafat.

Isa ILAZI


Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]