Drejtësia e Tribunalit të Hagës për krimet, masakrat dhe gjenocidin në Kosovë, nuk e ka quar deri në fund dënimin e kriminelëve serbë, shkruan “Kosovarja”.
Shumë krime dhe masakra, të kryera nga Serbia në Kosovë më 1999, ende nuk e kanë marrë dënimin e merituar.
Nëse nuk do dihej se kush ka bërë krime në atë kohë në Kosovë, do të pranohej si justifikim për mos dënimin e kriminelëve serbë për masakrat e kryera në Kosovë.
Por, e vërteta është se të gjithë dihen se kush kanë qenë. Kanë emra dhe mbiemra dhe prej cilave vende kanë qenë.
Në Krushën e Madhe dhe në Krushën e Vogël të Rahovecit, kriminelët serbë, e që kanë kryer krime dhe vrasje, janë fqinjët e familjeve që kanë humbur anëtarët e familjes.
Andaj, të gjithë serbët, e që kanë marrë pjesë në krimet kundër shqiptarëve në të dy Krushat e Rahovecit, kanë qenë fqinj të shqiptarëve, që kanë jetuar në fqinjësi të përbashkët.
Mirëpo, serbët që kanë kryer krime në Krushën e Madhe dhe të Vogël ende nuk janë dënuar!
Megjithatë, banorët kanë reaguar ndaj ardhjes së tyre në mënyrë të organizuar, që t’i vizitojnë shtëpitë dhe pronat e tyre.
E, kamerat i kanë dhënë pamjet reale se si gratë dhe familjarët shqiptarë reaguan për t’i ndjekur kriminelët e ardhur në këto vende.
Po ashtu, nuk janë dënuar as kriminelët serbë që kanë kryer masakër dhe vrasje në Celinë të Rahovecit, edhe pse ata i dinë emrat e vrasësve dhe thonë se ishin fqinjët e tyre.
Edhe vrasjet e tjera në Rahovec, si dhe krimet serbe në Tyrben e Sheh Muhedinit, tek i cili ishte strehuar popullata që ta shpëtojë kokën, nuk janë dënuar!
Nuk janë dënuar as kriminelët që kryen masakrën e Reçakut, edhe pse është bërë e ditur se një numër sish, e që kanë vrarë e masakruar shqiptarë, janë identifikuar nga popullata.
Për më keq, sot, kur bëhet polemikë ndërmjet presidentit serb Vuçiç e ambasadorit Voker, që ishte në mision verifikimi të OSBE-së, asnjë ish-zyrtar i Tribunalit të Hagës nuk e qelë gojën ta pohojë të vërtetën e Reçakut!
E, tendenca e Serbisë është e qartë: po bënë përpjekje që ta mohojë Reçakun, si krim ndaj njerëzit, e që e pat cilësuar ambasadori Voker, pas të cilit erdhi edhe intervenimi i NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë dhe Serbi.
Sidoqoftë, Vuçiçi në atë kohë ka qenë pjesë e qeverisë së Milosheviqit dhe e di mirë të vërtetën e masakrës së Reçakut, kurse pa fije turpi e mohon një krim të tillë!
Andaj, për të gjithë ata që nuk e dinë mirë të vërtetën, mohimi i Vuçiçit dhe propaganda e tij në botë për masakrën e Reçakut, te të mosinformuarit, mund të shkaktojë dilemën se a ka ndodhur, vërtet, masakra e Reçakut apo jo…
E, sikur të ishin dënuar kriminelët që masakruan 52 banorë të Reçakut, sot Vuçiçi nuk do mund të fliste për Reçakun siç bën tash…
Po ashtu, nuk janë gjykuar e as dënuar as krimet që u bënë në masakrën e Gallapit, më 18-23 prill të vitit 1999, një ngjarje e organizuar pesëditore e pjesëtarëve të Arkanit, për të cilët dihet gjithçka, por që nuk u bë kurrë objekt i Tribunalit të Hagës!
Kur jemi të mosndëshkimi i krimeve serbe në Kosovë, themi se as në Meje të Gjakovës nuk janë dënuar kriminelët serbë, as për vrasjet në Sllovi të Lipjanit e gjetiu…
Serbia, në anën tjetër, mohon edhe zhdukjen e 1600 trupave të shqiptarëve të Kosovës!
Krimet serbe në Kosovë, të cilat nuk janë gjykuar e as dënuar, mund të mohohen nga Beogradi zyrtar, apo edhe shtetet mike të Serbisë.
Sepse, Serbia në programet shkollore të historisë, krimet serbe në Kosovë, përfshirë edhe masakrën e Reçakut, i quan incidente!
Dhe, në këtë mënyrë, falsifikohet historia, përderisa bota ia plason Serbisë këtë propagandë, duke e renditur në një libër panoramik të popujve të Ballkanit Perëndimor, si diçka që nuk ka ekzistuar!
Andaj, ka shumë rëndësi që këto tema të rënda, e që bartin pasojat e shqiptarëve nga lufta e vitit 1999, të ngrihen në histori filmike ose në histori letrash, të arkivuara me kujdes.
Thënë shkurt e shqip, Serbia ka filluar të sillet sikur të ishte viktimë e jo agresor! Dhe, për këtë gjë, ka një përkrahje të shteteve të veta në miqësi historike.
E, që gjërat të qartësohen, duhet që botës t’i serohen, përmes institucioneve shtetërore të Kosovës, krimet serbe në Kosovë dhe të thuhet e vërteta e çdo krimi që ka ndodhur.
Shtrohet pyetja: Si mund të bëhet kjo?
Kjo mund të bëhet lehtë dhe me dëshmi, sepse shumë dëshmitarë nga vendi i krimit ende janë gjallë.
E, kur ata një ditë nuk do jenë, do bëhet vonë për gjithçka… Safet Krivaça /Kosovarja/