Përshëndetje motër e nderuar, jemi në kohë pandemie dhe e di se kanë ndryshuar gjërat me të madhe sa i përket të jetuarit.
Jam nënë e re. E kam një vajzë para një muaji, me të cilën na gëzoi Zoti.
Ajo çka më shtyri t’u shkruaj është brenga ime se shumë herë vajza ime, edhe pse një muajsh, qeshë shumë.
A ka diçka të keqe apo e ka shprehi? A ka domethënie për të ardhmen kjo që po ndodhë apo është normale?
“Nëna e re”
Përgjigje:
Të qeshurit është proces që vjen nga truri, por as shkenca ende nuk e ka përgjigjen rreth asaj se si shkaktohet dhe cilat fije nervore e koordinojnë trurin me buzët apo me anën tonike të të qeshurit me zë.
Vetëm njeriu prej të gjitha krijesave posedon të qeshurit, është fenomen në vete. Shkencat psikiatrike dhe neurologjike nuk kanë dhënë shpjegime si shkaktohet kjo dukuri te njeriu dhe nëse ka gjëndra të caktuara, e që ekzistojnë për ta shkaktuar të qeshurit.
Nëse mendon njeriu se qeshja shkaktohet nga një batutë, apo nga një fjali argëtuese, që është shaka, humor e satirë, si shpjegohet të qeshurit e një foshnje të sapolindur?
Foshnja qeshë në vetvete, si ndodh edhe me vajzën tënde dhe kjo është krejt normale. Nëse të rriturit i shtynë ndonjë batutë të qeshin, kjo nuk i ndodhë një foshnje, sepse ajo nuk kupton asgjë nga të folurit.
Andaj, nuk keni nevojë të merakoseni pse qeshë foshnja juaj. Të qeshurit sa më shumë, do jep më shumë dashuri.