Tashmë raportohet për disa punjonës të KEK’ut që janë infektuar me koronavirus, ndërkaq të njëjtit siç duket janë burim i infeksionit edhe për disa persona të prekur nga komuna e Fushë-Kosovës.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook nga Shtabi Emergjent i Komunës, ku u tha se 23 personat e prekur së fundi, janë raste kontakti nga Komuna e Vushtrrisë dhe KEK’u.
“Që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, është evidente rritja e numrit të infektuarve me COVID-19, tani kemi 23 raste kontakti nga Komuna e Vushtrrisë dhe KEK’u.
Shtabi Emergjent apelon që të gjithë qytetarët, bizneset dhe aktorët tjerë të respektojnë dhe zbatojnë masat mbrojtëse, rekomandimet e M.SH. dhe IKSHP.”, thuhet në këtë njoftim.
Ndërkaq, zëdhënësi për media i kësaj komune, Ali Topalli sot në një prononcim për Gazetën Metro tha se gjendja shëndetësore e të infektuarve është stabile.
“Dje dolën dy raste pozitive me koronavirus, që të dyja janë raste kontakti, gjendja e tyre është e mirë, nuk ka asnjë shqetësim për gjendjen e tyre shëndetësore, ndërsa detajet tjera sigurisht që dalin nga IKSHPK’ja, ata sigurisht kanë bërë ato gjurmimet për rastet e kontaktit, pra për mostrat që merren prej familjarëve të tyre”, ka thënë Topalli.
Ai tutje bëri të ditur se sot pritet të bëhen testime të reja, si kontakte të të prekurve.
Kujtojmë se pas lehtësimit të masave gjatë fazës së tretë në vendin tonë është shënuar rritje e numrit të rasteve, ku për një javë janë infektuar afër 200 persona./gazetametro/