Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Kosova do të shënojë edhe një sukses në bisedimet me Serbinë, që sipas të gjitha gjasave do të nisin në Uashington më 27 qershor.
Thaçi në një konferencë për medie ka thënë se institucionet e Kosovës i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së SHBA-së për takim mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington më 27 qershor.
“Institucionet e Kosovës, pas ftesës së SHBA-së të presidentit Trump, konkretisht ambasadorit Grennell për të vazhduar dialogun me Serbinë, janë përgjigjur pozitivisht dhe njëkohësisht mirëpresin këtë hap të rëndësishëm vendimtar dhe shumë të drejtë të SHBA-së me besim të plotë se me të vërtetë është koha që edhe konkretisht të lëvizim përpara si shtet dhe si shoqëri, por edhe për paqen në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Thaçi.
I pari i vendit beson se ky proces është për njohje reciproke mes dy shteteve, që do t’i sigurojë Kosovës ulëse në OKB.
“Uashingtoni e ka thënë qartë se ky proces është për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për të vazhduar angazhimet për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe në veçanti për anëtarësim në OKB”, u shpreh Thaçi.
Ai më tej ka thënë se të bashkuar dhe me partneritet me SHBA-në Kosova do të shënojë një sukses, sikurse në bisedimet në Rambuje, që sollën çlirimin e Kosovës dhe ato të Vjenës për pavarësi.
“Të bashkuar dhe në partneritet me SHBA-në, jam i bindur se do t’ia dalim me sukses dhe do të kemi rezultate konkrete. Kështu ka qenë edhe në Rambuje, kështu ka qenë edhe në Vjenë dhe jam i bindur se kështu do të jetë edhe në Uashington”, ka shtuar presidenti i vendit. /Zëri