Pas vendimit të Kushtetueses për ligjshmërinë e qeverisë Hoti, vjen thirrja e SHBA-ve dhe PE-së për ta respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të gjitha partitë politike. Por, a po e bën këtë edhe Albin Kurti e VV-ja, shkruan “Kosovarja”.
Është e rrezikshme të thirren protesta në shenjë të revoltës popullore, sepse një thirrje e tillë është mosrespektim i organit më të lartë dhe më autoritativ kushtetues shtetëror, e që është timoni i drejtimit të shtetit.
Thirrjet për revoltë janë të rrezikshme, sepse ka persona sikur që po shkruajnë dhe po bëjnë thirrje në rrjete sociale për t’i vënë zjarrin Presidencës dhe Gjykatës Kushtetuese!
Po thirren në popull, por populli nuk është i tëri me Albin Kurtin. Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 kanë votuar 44% e votuesve total dhe prej tyre Lëvizja “Vetëvendosje” ka fituar vetëm 25%, që do të thotë një e katërta e votuesve.
Në matematikën zgjedhore quhet fitues relativ dhe kjo tregon se ata që thirrin për trazira, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk kanë të drejtë të bëjnë thirrje në emër të popullit.
VV-ja, ashtu sikur të tjerat parti, duhet ta pranojnë verdiktin, pa marrë parasysh rezultatin e tij. Thirrja në provat për protestë, siç i quajti Kurti, tregon se kjo parti nuk është që nuk e ka ditur rezultatin e Kushtetueses, sepse edhe vetë me gojën e tyre, në vitin 2014, zyrtarët e kësaj Lëvizje kanë thënë se qeverinë mund ta bëjnë edhe të tjerët…
VV-ja nuk është produktive ta mendojë rritjen eventuale të militantëve përmes revoltës së dhunshme, por shumë detaje të rrjeteve sociale qojnë direkt te kjo pikë!
Propaganda për kapjen e shtetit, në mënyrën qysh po thotë Kurti, është margjinalizim për përjashtim të çdo partie tjetër nga skena politike.
Se ka korrupsion, kjo s’do koment. Se ka afera, edhe kjo s’do koment. Por, se nuk duhet përgjithësuar gjërat, edhe kjo s’do koment.
Humbja e pushtetit nuk është të drejtë eksplicite për thirrje të revoltës. Andaj, VV-ja duhet të ndryshojë shumëçka në strukturën partiake, nëse do të jetë në të ardhmen konkurrente jo vetëm për vota, por edhe për qeverisje kualitative, duke e ngritur përgjegjësinë ndaj partnerëve dhe oponentëve politikë.
Andaj, VV-ja nuk duhet të kënaqet vetëm se ka militantë, por të ketë edhe kuadro të përgjegjshme për qeverisjen e shtetit. Safet Krivaça /Kosovarja/