Nuk mund të mohohet se “Top Gun” nuk do të ishte i njëjtë pa Tom Cruise në rolin kryesor, megjithatë ylli hollivudian pothuajse refuzoi të luante në vazhdimin e shumëpritur që theu rekorde në fundjavën e parë të shfaqjes.
“Top Gun: Maverick” mbërriti në kinema javën e kaluar me vlerësime pozitive dhe një fundjavë hapëse mjaft mbresëlënëse në arkat e përfitimeve.
Fansat ishin të emocionuar kur panë Cruise të përsëriste rolin e tij si piloti i marinës amerikane, Pete ‘Maverick’ Mitchell në vazhdimin e hitit nga viti 1986.
Megjithatë, sipas regjisorit Joseph Kosinski, ishte e dyshimtë nëse ai do të ishte në gjendje ta bindte 59-vjeçarin që t’i bashkohej projektit.
Në një intervistë për Polygon, filmbërësi tregoi se kishte vetëm 30 minuta kohë për t’ia paraqitur idenë aktorit, i cili çuditërisht nuk ishte aq i interesuar për idenë e një vazhdimi të “Top Gun”.
Kosinski iu bashkua projektit për herë të parë, pasi producenti Jerry Bruckheimer ia dërgoi atij një version të mëparshëm të skenarit që në vitin 2017.