fbpx

Tragjedi në ishujt Kanarie, varka me qindra emigrantë senegalezë mbytet në ujërat spanjollë

nga Revista Kosovarja

Një varkë peshkimi me rreth 200 emigrantë afrikanë është zhdukur në ujërat e ishujve Kanarie rreth një javë më parë.

Ekipet spanjolle të shpëtimit prej disa ditësh janë duke vijuar aksionin për gjetjen e tyre. Sipas agjencisë spanjolle të lajmeve ‘Efe’, varka mbante më shumë se 200 emigrantë afrikanë, një pjesë e madhe nga të cilët ishin fëmijë.

Varka me emigrantët në bord ishte nisur më datë 27 qershor nga Kafountine në qytet bregdetar i Senegalit, drejt ishujve Kanarie. Po ashtu bëhet me dije se dy varka të tjera, të ngjashme me të, gjithashtu janë zhdukur. Sipas Reuters në dy varkat e tjera gjendeshin gjithsej rreth 120 persona, çka e çon numrin total të të zhdukurve në më shumë se 300 individë.

Udhëtimi nga Afrika Perëndimore në Ishujt Kanarie është ndër rrugët më të rrezikshme për emigrantët, sepse ata zakonisht lundrojnë me anije të thjeshta peshkimi, të cilat mund të hidhen lehtësisht nga rrymat e fuqishme të Atlantikut. Vitin e kaluar të paktën 559 njerëz vdiqën në det duke u përpjekur të arrinin në ishujt spanjollë, thotë Organizata Ndërkombëtare e OKB-së për Migracionin (IOM).

Ndërkohë kujtojmë që jo më larg se një muaj më parë, Evropa pa një nga mbytjet më të rënda të emigrantëve në Mesdhe, ku një peshkarexhë e mbipopulluar u mbyt në brigjet greke. Ky ishte rasti ku të paktën 78 persona u konfirmuan të mbytur, por Organizata e Kombeve të Bashkuara raportoi se rreth 500 të tjerë ishin të zhdukur.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]