Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar në Pejë, ku një vajzë e re dyshohet se është sulmuar fizikisht nga partneri i saj, duke pësuar lëndime trupore dhe alivanosje, mëson Sinjali.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se viktima A.L ka deklaruar para hetuesve se incidenti kishte ndodhur një ditë më parë në vilat “Ukaj”, ku ajo kishte qenë së bashku me të dyshuarin E. A.
Sipas deklarimit të saj, mes tyre kishte shpërthyer një fjalosje, e cila më pas kishte eskaluar në dhunë fizike.
Viktima ka deklaruar se ishte goditur nga i dyshuari deri në atë masë sa kishte humbur ndjenjat dhe ishte alivanosur.
Sinjali mëson se pasi ishte këndellur, i dyshuari e kishte dërguar në shtëpinë e saj.
Pas raportimit të rastit, viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa janë konstatuar edhe lëndime të dukshme në trupin e saj.
Sipas informatave, çifti kishte qenë në lidhje qe rreth katër vjet dhe kishte pasur probleme dhe mosmarrëveshje edhe më herët.
I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në Stacionin Policor në Pejë, ku është intervistuar nga hetuesit e dhunës në familje.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor – Dhunë në familje”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
