Numri i ri mbi artikull
Artikull i sponzorizuar

Uashingtoni sinjalizon përkushtimin ndaj Kosovës

nga Revista Kosovarja

Paralajmërimi i SHBA-ve se më 27 qershor në Uashington do të takohen palët biseduese Kosovë-Serbi, tregon qartë përkushtimin serioz amerikan ndaj Kosovës, shkruan “Kosovarja”.

Paralajmërimi amerikan për takimin në Uashington, është tregues ndaj Evropës dhe Rusisë se SHBA-të janë aleati më i rëndësishëm i Republikës së Kosovës, ashtu sikur edhe kanë qenë që nga viti 1990 e deri më tash.

Se gjërat po marrin vëmendje të lartë, tregojnë edhe të dhënat e tjera, konkretisht shkuarja e Vuçiçit në Moskë, më 24 qershor, ku pritet që Serbia t’i koordinojë radhët me Rusinë, se si duhet të dilet nga situata me Kosovën.

Sidoqoftë, një gjë dihet: Serbia nuk mund të bëhet pjesë e BE-së pa e zgjidhur problemin e Kosovës, ndërkohë që BE-ja dhe SHBA-të nuk e përkrahin një zgjidhje me ndryshim të hartave.

Moneytizer Paragrafi 4

Vuçiçi ka thënë, ashtu sikur ka paralajmëruar në kontinuitet, se për Serbinë po vijnë ditë të nxehta, ku nuk pritet një fund që e kënaqë Serbinë.

Megjithatë, blloku serbo-rus, me kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës, pritet të qesin në tavolinë ide të ndryshme, si zgjidhje përfundimtare.

Me këtë rast, Kosova duhet ta shfrytëzojë Vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila qe deklaruar qartë për Kosovën shtet, pasi Serbia kishte parashtruar pyetjen: A është shpallja e pavarësisë së Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?

Vendimi i GJND-së se Kosova kishte të drejtë ta shpallte pavarësinë e vet, është argumenti më i fuqishëm për bisedimet Kosovë-Serbi, i cili, gjithashtu, hap rrugën për një zgjidhje bilaterale mes dy shtetesh.

Serbia, megjithatë, ka shprehur entuziazëm, që po e rikthen në tavolinë të bisedimeve Kosovën, nën aspiratën e kontestimit të pavarësisë së saj, e që pala kosovare nuk guxon të pranojë, meqë pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe në përputhje me Vendimin e GJND-së.

Sidoqoftë, aktivizimi i diplomacisë botërore për zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi, po hyn në një fazë vendimtare.

E, ajo që pritet të ndodhë është që Rusia të përfitojë mbi shpinën e Kosovës një legjitimitet kredibil ndaj Krimesë së pushtuar vite më parë. Safet Krivaça /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]