Ujvarën e gjeni pranë Atelie ‘Altar’!
Make up artist Ujvara Hajdari ndër më të njohurat në fushën e grimit dhe parukerisë përmes pasionit dhe profesionalizmit të saj ka arritur që të fitojë një klientelë të gjerë, duke filluar nga personazhet më të rëndësishme publike.
1. Si e keni filluar karrierën tuaj si artiste e make-up-it?
-Të hyja në botën e bukur të make up-it dhe parukerisë ka qenë ëndrra ime e fëmijërisë. Gdhihesha dhe ngrysesha me idenë se unë do bëja njerëz të lumtur duke i bërë të bukur. Nuk e di pse, por kam pasur që fëmijë një lidhje speciale me bukurinë. Që e vogël vëzhgoja njerëzit si e kishin formën e fytyrës, llojin e modelin e flokut dhe gjithnjë mendoja se si mund të përmirësohej. Për më tepër më magjepsnin ngjyrat. E dija që e vogël që puna imë do ishte kjo që bëj sot. Tani kjo punë është një karrierë e njohur, por atëherë ishte një gjë e pazakontë për ta dashur aq shumë. Në ato kohë, nuk kishte asnjë rrugë të qartë në këtë industri. Askush me të vërtetë nuk dinte shumë për asgjë, dhe nuk kishte shumë vende ku mund të mësoje për grimin.
2. Kush ishin mbështetësit tuaj në këtë rrugë?
-Kam filluar punë 18 vjeç, kur isha ende adoleshente edhe pse nuk ndihesha asnjëherë e tillë. Unë mendoj se kam qenë me fat që të rritesha në një familje ku e kanë dashur gjithnjë të bukurën. Babi ka qenë super mbështetës dhe një forcë e madhe shtytëse që unë të realizoja ëndrrën time. Ikja e tij në moshë të re, më la pa shtyllën ku mbështetesha fort, e kjo është një nga dhimbjet më të mëdha të jetës sime që e provoj sa herë që kam nevojën që të mbështetem në një shtyllë të fortë që nuk të lejon që të dridhen këmbët e zemra. Isha vetëm 22 vjeç kur humba babin, por i dedikoj atij gjithë arritjet e mia e suksesin tim në këtë fushë. Një njeri përparimtar që e donte të bukurën e mbi të gjitha lumturinë e fëmijëve. Nuk dyshoi kurrë në zgjedhjen time dhe ishte i sigurt që do bëhesha njëra prej akterëve të rëndësishme në botën e bukurisë, kur shihte pasionin dhe dëshirën që kisha në këtë fushë. Ndërsa, mami ka qenë modeli se si duhet të jetë një grua e kujdesshme. Një grua që jo atëherë kur ishte e re, por edhe sot e kësaj dite, vendos buzëkuq e lyhet edhe po të dali thjesht të blejë bukën. Kam super respekt për këtë natyrë të saj, sepse personalisht nuk është se e bëj gjithnjë. Ka raste kur dal nga shtëpia me nxitim e pa lyer, kur kam një kliente që po më pret se ka ditën e saj të dasmës, apo një shoqe që më zgjon herët se ka një intervistë në emisionin e mëngjesit… (qesh)
3. Si ka vazhduar më pas kjo karrierë që ka lidhje edhe me pasionin tuaj më të madh në jetë?
-Padyshim se Ujvara që njihni sot, nuk u bë e zonja brenda natës. Ishte një rrugë e vështirë dhe zgjati shumë, por jam shumë mirënjohëse për këtë tani. Unë kam filluar direkt punë në një sallon bukurie si parukiere, e jo si ndihmëse, ku më pas hyra në botën e televizionit që më ka ndihmuar shumë për të shpalosur talentin e njohuritë e mia, për të bërë njohjet me njerëz që sot janë mikeshat e klientet e mia të rregullta prej shumë vitesh. Kam punuar si kuratore imazhi në TV Klan, në TV ABC, në Agon Channel, për pak kohë kam qenë drejtore e imazhit në TVSH, dhe mendoj se ekperienca ime në TV ka qenë një arsye e fortë për të qenë kjo që jam sot deri sa vendosa që mos të punoja më për të tjerët po t’ia dedikoja gjithë ditën time sallonit tim. TV të jep kohë për të përsosur aftësitë e tua dhe për të praktikuar në shumë njerëz të ndryshëm, në mënyrë që të jeni në gjendje të arrini e të lexoni portrete. Tani për mua është shumë e thjeshtë dhe mund të lexoj portretin e një njeriu sa më vjen në derë. Testimi më ka dhënë kohë të rëndësishme për të mësuar aftësi. Të bëhesh një ekspert në këtë fushë, sigurisht që ka të bëjë me të qenit kreativ dhe spontan, por një rol shumë të rëndësishëm në karrierën time ka pasur shkollimi. Gjatë gjithë karrierës time rol të rëndësishëm kanë luajtur kurset, trajnimet, madje edhe konkurset në fushën e make-up–it apo të flokëve. Edhe pse nuk kam pasur në fillim shumë mundësi financiare, kam kursyer shumë për të investuar në shkollim. E mendoj se ia vlen kur kjo sakrificë shpërblehet. Kjo është një këshillë që kam për gjithë lexueset e revistës tuaj që kanë pasion parukerinë dhe make-up-in. Duhet të shkollohen, sepse talenti pa shkollë ngelet gjithnjë i cunguar. Sot kam një ambient timin shumë të këndshëm në katin e tretë të ateliesë ‘Altar’, kuruar me shumë elegancë nga mikja ime Drilona. Ndihem shumë mirë, e lumtur, e vlerësuar, e dashuruar me të bukurën.
4. Cilat janë produktet kryesore që përdorni?
-Përgjithësisht mundohem, produktet që përdor të jenë shumë cilësore, e ata që janë në këtë fushë e dinë shumë mirë që kjo nuk është e lidhur domosdoshmërish me shtrenjtësinë e tyre. Unë nuk mendoj se një linjë sado e shtrenjtë dhe me emër të jetë doemos duhet të jetë e shkëlqyer në gjithë gamën e produkteve të saj. Chanel p.sh. që më pëlqen shumë për lapsin e syve dhe rimelin, nuk ia përdor fondatinën, se ka marka të tjera që janë të njohura për këtë si La Praire ose Guerlain. Ndonjëherë më ndodh që edhe firma që nuk janë brand kanë një cilësi shumë të mirë të produkteve, dhe ti patjetër që bëhesh mjeshtre e produkteve sapo i sheh mbi fytyrë se si hapen, sa qëndrojnë e kështu me radhë. Gjithmonë lexoj për këtë fushë në revista, Instagram, faqe të artistëve botëror të make-up-it, dhe duke pasur miq e mikesha që udhëtojnë e që nuk lodhen kurrë nga kërkesat e mia, eksperimentoj shumë me produkte të reja që dalin në treg e që më pas disa prej tyre bëhen të përhershme në sallonin tim për shkak të karakteristikave të veçanta që përmbajnë.
5. Çfarë do të thotë të zbukurosh gratë dhe vajzat?
-Është fat që të punosh në profesionin që do, e aq më shumë kur ky profesion është i lidhur ngushtë me bukurinë. Nuk ka kënaqësi më të madhe se të zbukurosh njerëzit në ditët e tyre më të bukura të jetës dhe kur merr pa fund urime e lëvdata për punën tënde. Shumica e klientelës sime është një klientelë e vendosur me vite, dhe më pëlqen të them se shumë prej tyre janë zonjat dhe gratë e nderuara të vendit. Në listën e klienteve të mia që sot në fakt nuk janë më vetëm kliente, por edhe mikesha të mira e të shtrenjta, ka që nga gra politikane, gazetare, drejtuese të rëndësishme institucionesh, artiste, ambasadore etj.
6. A mund të na përmendësh disa figura publike që ti iu kuron prej vitesh imazhin?
-Po, sigurisht! Edhe pse kjo mund të jetë pak e rrezikshme se mund të të dalin nga mendja për momentin njerëz që kanë një rëndësi të veçantë për jetën tënde. Mund të përmend Majlinda Bregun, Iris Luarasin, Arilena Arën, Anita Hardinajn, Floriana Garon, Arjola Demirin, Morena Tarakun e kështu me radhë.