Kurtit tash nuk po i del bash presidente zonja Osmani. Matematika e re paszgjedhore po tregon diçka tjetër, shkruan “Kosovarja”.
Tandemi politik Kurti-Osmani po kërkojnë vota te opozita, për ta zgjedhur këtë të fundit presidente.
Gjatë fushatës zgjedhore Albin Kurti dhe Vjosa Osmani e kanë prezantuar njëri-tjetrin vazhdimisht me “Urdhëro kryeministër! Faleminderit zonja presidente!”.
Ishte një fjali ledhatuese e llojit nostalgjik të Shpend Ahmetit, që qante kur fliste Albin Kurti, gjatë fushatës zgjedhore për ta bërë Shpendin kryetar të komunës së Prishtinës.
Por, tash matematikat për formimin e qeverisë “Kurti 2” janë të padiskutueshme. Problemi ka mbetur si t’i sigurohen Vjosa Osmanit numrat për presidente…
Problemi qëndron në faktin se dy partitë opozitare, PDK-ja dhe AAK-ja, nuk i kanë premtuar Kurtit vota për presidenten e preferuar të tij, Vjosa Osmanin.
Fjalën e vet pritet ta thotë të premten edhe LDK-ja, kur edhe do të takohen Kurti, Osmani, Abdixhiku.
Sidoqoftë, pas formimit të qeverisë “Kurti 2”, Kosova hyn në krizë për presidenten dhe kjo është e padiskutueshme.
Në kreun e ri të LDK-së Vjosa Osmani ka përkrahës, por a do të mjaftojnë që Vjosa të zgjidhet presidente?
Dhe, nëse udhëheqja e re e LDK-së rreshtohet në favor të Vjosa Osmanit, atëherë do të jetë e qartë se edhe kjo parti do të bëhet patericë e “Vetëvendosjes”. Safet Krivaça /Kosovarja/