Sipas një hulumtimi të Universitetit Shtetëror të Kolorados, vajzat kanë më pak prirje që të pranojnë për të dalë në takim me një djalë, nëse ata kanë fotografi me mace.
Shkencëtarët ua treguan qindra vajzave dy fotografi të dy djemve, ku njëri shihej aty me një mace, ndërsa tjetri ishte pa mace, shkruan “CNN”.
Në bazë të përgjigjeve të vajzave, gjasat e djemve u përkeqësuan kur vajzat panë fotografi të tyre ku kishin mace.
“Djemtë që mbanin mace shiheshin si më pak mashkullorë, më të shqetësuar, më të përshtatshëm, më të hapur, por edhe me më pak gjasa për të dalë në takim”, thuhet në këtë hulumtim.
Kur vajzat panë në fotografi një djalë pa mace,38 për qind e tyre thanë se kishte gjasa që të dilnin në takim me të, ndërsa 37 për qind thanë se do ta shqyrtonin një lidhje me të.
Sidoqoftë, kur në fotografi shfaqej i njëjti djalë, por me një mace, dy shifrat e përmendura më lart ranë në 33 për qind. Ndërkohë përqindja e vajzave që thanë se kurrë nuk do të lidheshin me atë djalë u rrit nga 9 në 14 për qind.
Në këtë eksperiment morën pjesë 708 vajza të moshës 18 deri 24-vjeçare dhe procedura e hulumtimit u zhvillua përmes internetit.