Një 26-vjeçar nga Baballoqi i Deçanit vdiq të hënën në Prishtinë pasi nuk i mbijetoi plagëve të marra nga goditja që pësoi nga shtylla e një semafori.
Shtylla e cila ia mori jetën Shkumbin H. u godit paraprakisht nga një veturë që e shkaktoi aksidentin. Ngjarja tragjike ndodhi në rrugën “Agim Ramadani” para objektit të Ministrisë së Arsimit në Prishtinë.
Derisa vdekjen e 26-vjeçarit e konstatoi një ekip mjekësor në vendin e ngjarjes, shoferja e automjetit që e shkaktoi aksidentin u shoqërua në Stacionin Policor në Prishtinë. Me urdhër të prokurorit, e dyshuara është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ende nuk ka vendosur nëse do të paraqesë kërkesë për caktim të masës së paraburgimit ndaj shoferes së automjetit. Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj i tha Paparacit të martën se ende nuk ka informata nëse prokurori do të bëjë kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.
Bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, që përcakton dënimet për aksidentet me fatalitet në rrugë, e dyshuara mund të dënohet me 3 deri në 12 vjet burgim.
Sipas nenit 370, paragrafi 5, kushdo që shkakton aksident që rezulton me vdekjen e dikujt, mund të dënohet prej tre deri në 12 vite.
“Nëse vepra penale për secilin që shkel ligjin mbi trafikun publik, rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet”, specifikon paragrafi i pestë i këtij neni.
Për vdekjen e 26-vjeçarit të hënën ka reaguar kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj. Ramosaj u shpreh i tronditur nga lajmi dhe i shprehu ngushëllime familjes.
“Në këto momente të rënda për familjen Hebibaj, ndajmë dhembjen me ta dhe në emër të të gjithë qytetarëve të Deçanit shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen”, shkroi ai. /Paparaci.com
https://www.facebook.com/Bashkim.Ramosaj74/posts/1450768402203114?ref=embed_post