Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega Prizren, ka njoftuar se ka vdekur vajza e Fadil Kryeziut, themeluesit të kësaj dege dhe ish-zyrtarit të lartë të LDK-së në Prizren.
Në faqen zyrtare në Facebook të kësaj Dege, thuhet se ajo ishte studente në Gjermani dhe trupi i saj pritet të mbërrijë sot për t’u varrosur në vendlindje.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin se është ndarë nga jeta, në moshën 22-vjeçe, Alba Kryeziu, vajza e Fadil Kryeziut, themeluesit të Degës dhe ish-zyrtarit të lartë të LDK-së në Prizren, njëherësh drejtues i IRSHP që këtyre ditëve është në ballë të luftës me pandeminë COVID-19. Alba ishte studente në Gjermani dhe trupi i saj pritet të mbërrijë sot për t’u varrosur në vendlindje”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, për vdekjen e saj ka ngushëlluar edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa.
“Me preku thellë lajmi për ndarjen nga jeta e vajzës së Fadil Kryeziut, veprimtar shumëvjeçar dhe themelues i degës së LDK-së në Prizren. E ndaj dhembjen me familjen Kryeziu, për humbjen e vajzës së tyre të çmuar, Albës 22 vjeçe, studente në Gjermani. Ndarja e hershme nga jeta e Alba Kryeziut, një të reje të përkushtuar për dije dhe prosperim, është një humbje e madhe jo vetëm për rrethin familjar por për të gjithë ne. Ngushëlloj edhe degën e LDK-së në Prizren, miqtë dhe kolegët e Albës dhe familjes së Fadil Kryeziut”, shkroi Mustafa në një postim në Facebook.
Ngushëllime për vdekjen e Alba Kryeziut shprehu edhe Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.
“Alba, shpirti i bardhë, iu kthye qiellit, në moshë krejt të njomë, 22-vjeçe, duke i veshur përjetë me pikëllim nënën e babanë, farefisin dhe gjithë qytetarët e Prizrenit e të Kosovës. Ajo shkoi në heshtje, duke u ndarë nga studimet, miqtë e familja, të cilët do të jetojnë përherë me kujtimin për të. Në këto momente të rënda, ne jemi me familjen Kryeziu, me babë Fadilin, aktivistin e palodhshëm e njërin ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, me nënën e Albës dhe gjithë të afërmit. Ne bashkëndjejmë me ta dhe lutemi për ta! U prehtë në paqe shpirti i lirë i Albës sonë”, tha Osmani.