Gazetari Vehbi Kajtazi ka mbetur i habitur me veprimet e një shumice të qytetarëve të cilët i gëzohen dënimeve të ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nga një “Fake News” i shpërndarë në TikTok kinse Hashim Thaçi është dënuar me 25 vjet burgim efektiv, Kajtazi ka ndarë disa nga komentet e qytetarëve të cilët i janë gëzuar dënimeve të Thaçit.
“Çka po i ndodhe këtij populli? Si ka mundësi që të jemi kaq barbarë me vetveten? Si ka mundësi me pasë kësi deshëire deri në ekstazë që njerëzit te cilët luftuan për lirinë kolektive me u dënu me burg të përjetshem? Si ka mundësi me qenë kaq të paditur kolektivisht?”, thuhet fillimisht në postimin e Kajtazit në Facebook.
Mes të tjerash, Kajtazi thotë se ish-ushtarët e UÇK-së nuk ndihen të kënaqur kur shohin kësi reagime nga qytetarët.
“Jam i sigurt se secili ushtar i UÇK-se që sheh diçka të tillë i thotë vetes – pse? Çfarë të keqe i sollëm popullit shqiptar pos qe ua hoqëm çizmen e Millosheviqit nga qafa dhe ia sollëm lirinë? Mjerimi nuk ndodh vetëm kur nuk ke bukë si në poemën e mjerimit, por edhe kur s’ke mend. Ne të gjitha i kemi. Vetëm mend në krye jo”, shkruan Kajtazi në Facebook.