Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pak orë para mesnatës së mbrëmshme, i zë gafil partitë politike, me përjashtim të “Vetëvendosjes”, e cila, në një mënyrë, vazhdimisht ka qenë në fushatë parazgjedhore, shkruan “Kosovarja”.
Spektri politik i partive në qeveri ishin të interesuar për zgjidhjen e presidentit. Një marrëveshje eventuale politike që e qonte PDK-në në qeveri, duke ia dhënë presidencën.
Mosmarrëveshjet për zgjedhjen e presidentit e kishin bllokuar Ramush Haradinaj, i cili këmbëngulte për postin e presidentit, në të kundërtën zgjedhja e presidentit s’do të kishte kuorum.
Por, tashmë kur Kushtetuesja ka marrë vendim për rrëzimin e qeverisë Hoti, i ka gjetur partitë të papërgatitura me idetë për kandidatët për kryeministra.
Sepse, në spektrin politik të Kosovës ka shumë ndryshime, të cila duan riformatim të partive në përcaktimet për bartësit e listave.
Më së shumti paqartësi ka në PDK, pas shkuarjes në Hagë të kryetarit të saj, Kadri Veselit, por edhe të Hashim Thaçi, e ku pritet që ushtruesi i detyrës së Veselit, Enver Hoxhaj, të jetë kandidati i kësaj partie për kryeministër.
Edhe në LDK pritet qasje e re pas largimit të Vjosa Osmanit, që ishte kandidate e kësaj partie për kryeministër të vendit në zgjedhjet e fundit.
Largimit të Vjosa Osmanit nga LDK-ja pritet t’i bashkohen edhe disa figura të larta të kësaj partie, aktualisht deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Por, ajo që mbretëron në partinë Isa Mustafës, përfshirë edhe kërkesat e shumta për largimin e tij nga kreu, ka vend për shumë procese që duhet të ndodhin në shpejtësi.
Nga NISMA, Limaj dhe të tjerët, do të kalojnë në partinë e dikurshme amë, nga edhe morën rrugëtimin e profilizimit të një partie të re, e cila nuk u zhvillua siç pritej.
Sidoqoftë, NISMA pritet të kthehet në PDK, qoftë si koalicion parazgjedhor, qoftë si e shkrirë në këtë parti.
Në anën tjetër, AAK-ja e ka një elektorat bazë në tri-katër komuna të Dukagjinit dhe pritjet nuk lënë shumë për të dëshiruar vota përtej bazës.
Mirëpo, AAK-ja nuk pritet t’i bashkojë forcat me asnjë parti tjetër në garën për zgjedhje të përgjithshme.
“Vetëvendosja”, si forca kryesore, aktualisht nuk do të shkojë në koalicion parazgjedhor me askënd, sepse ka synim fitoren si parti e vetme, pa marrë parasysh disa sondazheve që e nxjerrin fituese jo më shumë se mbi 37% të votave.
Sidoqoftë, Specialja ka krijuar rrethana të reja në konkurrencën e partive politike për qeverisje, e kur kësaj i shtohet edhe problemi i mospajtimeve për zgjedhjen e presidentit, mund të thuhet se Kosova është në krizë institucionale.
Andaj, kërkohet ndihma e SHBA-ve për tejkalimin e situatës së krijuar. Safet Krivaça /Kosovarja/