fbpx

Vendimi i Kushtetueses: Njihet e drejta e pensionit për punëtorët e larguar gjatë viteve ‘89-‘99

nga Revista Kosovarja

Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin në rastin KO35/24, të iniciuar nga Avokati i Popullit, i cili kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-248 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

Gjykata, me vendim unanim, konstatoi se neni 4 i Ligjit të kontestuar, i cili shton nenin 8A në Ligjin bazik, nuk është në kundërshtim me nenin 24 të Kushtetutës (Barazia para Ligjit), si dhe me nenin 14 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenin 1 të Protokollit nr. 12 të kësaj Konvente.

Përmes këtij aktgjykimi, Gjykata vlerësoi se ligjvënësi ka respektuar gjetjet e mëparshme të Gjykatës në rastin KO190/19, duke eliminuar diskriminimin e mëhershëm ndaj punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore, policisë, gjyqësorit dhe të tjerëve, të cilët ishin përjashtuar nga e drejta për pension kontributpagues të moshës.

Me ndryshimet ligjore, është krijuar një skemë e re pensionale – “pension parcial kontributpagues i moshës”, që u njeh të drejtën në pension të gjithë punëtorëve të dëbuar nga puna gjatë viteve 1989–1999 si pasojë e masave të dhunshme, edhe në rastet kur nuk arrijnë stazhin e plotë prej 15 vitesh.

Gjykata theksoi se nuk kërkohet më dëshmi për pagesë të kontributeve për vitet 1989–1999, por vetëm dëshmi që punëtori është larguar nga puna gjatë kësaj periudhe.

Në këtë mënyrë, është eliminua pabarazia ndërmjet grupeve të punëtorëve, duke siguruar trajtim të barabartë dhe gjithëpërfshirës në të drejtën për pension.

Përfundimisht, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se Ligji i kontestuar garanton një ekuilibër të drejtë ndërmjet interesit publik dhe të drejtave themelore të individëve, duke përmbushur standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare për ndalimin e diskriminimit.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]