Stafi në një nga fluturimet e American Airlines po përballet me kritika për metodën e pazakontë me të cilën u përpoq të disiplinonte një pasagjere që humbi kontrollin.
Në videon e kapur nga një tjetër pasagjere, duket se gruan po e lidhin me ngjitëse që të mos lëvizë.
Thuhet se gruaja në fjalë pati një panik të papritur teksa avioni ishte në ajër dhe po përpiqej të hapte derën në mes të fluturimit.
Gjatë incidentit, i cili ndodhi në bordin e një fluturimi nga Dallas Fort Worth, Texas për në Charlotte, Carolina e Veriut në fillim të kësaj jave, gruaja me sa duket filloi të sulmonte anëtarët e ekuipazhit, duke u përpjekur t’i gërvishtte dhe t’i kafshonte ndërsa bërtiste se i duhej të “zbriste nga ky avion”.
American Airlines konfirmoi për New York Post se shoqëruesit e fluturimit kanë “ndaluar” pasagjeren derisa avioni të mbërrinte në mënyrë të sigurt në destinacionin e tij, por një video e postuar nga një pasagjere tjetër në TikTok tregoi se në vend që të përdornin kufizime më normale/profesionale, ata e lidhën dhe madje i mbuluan edhe gojën me shirit ngjitës.
Gruaja që filmoi tha se “ajo që po ndodhte dukej sikur ishte jashtë kontrollit të saj. Ajo dukej e frikësuar”.
Në një deklaratë, American Airlines tha se thjesht kishin bërë gjithçka që kishin mundur “për sigurinë e klientëve të tjerë dhe ekuipazhit”.
Ndonëse ka patur mjaftueshëm kritika për mënyrën se si është vepruar, të shumtë janë dhe njerëzit që thonë se “duhet të bësh ç’të mundesh për sigurinë e të tjerëve”.