Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka lavdëruar punën e tij në krye të kësaj ministrie. Kritika kishte vetëm për paraardhësin e tij dhe qeverinë paraprake të udhëhequr nga Avdullah Hoti.
Vitia thotë se Qeveria Hoti është fajtore se pse Kosova është vonuar në sigurimin e vaksinave.
“Komisioni për Negocim për Vaksina është themeluar me 7 dhjetor 2020 në kohën kur Shqipëria dhe Serbia veç kanë filluar t’i marrin vaksinat. Komiteti për Vaksinim është themeluar më 25 dhjetor 2020, natyrisht se jemi vonuar”, tha Vitia në Kuvendin e Kosovës.
“Ju garantoj se këto vonesa disamujore kanë shtuar dinamikën dhe për 50 e sa ditë të Qeverisë Kurti është bërë më shumë se për pesë muaj të qeverisë paraprake”, shtoi ai.
Vitia në Kuvend është shprehur se hap i domosdoshëm dhe urgjent është sigurimi i vaksinave.
“Procesi do të mbulojë 60 për qind të qytetarëve deri në fund të vitit 2021. Janë duke u garantuar udhërrëfyesit dhe protokollet për COVID-19”.