Presidenca dhe Ridvan Berisha kanë replikuar në Facebook, pasi presidentja Vjosa Osmani paralajmëroi padi për shpifje ndaj gazetarit.
Pasi Berisha në një debat televiziv tha se Osmani “ka qenë e implikuar në rastin e Dejan Pantiqit”, ish-policit serb që u arrestua për sulm terorrist ndaj institucioneve, dhe u lirua në arrest shtëpiak më pas.
Kjo deklaratë, Presidenca përmes një reagimi në Facebook tha se “është gënjeshtër, sajim dhe shpifje e paprecedentë”.
“Liria e fjalës është në funksion të të vërtetës, por jo të shpifjeve. Presidentja Osmani qysh nesër do të ndërmarrë të gjithë hapat ligjor për këtë shpifje të Ridvan Berishës”, u tha në reagimin e Presidencës.
Gazetari Berisha komentoi poshtë reagimit, duke thënë “mirëupafshim në gjyq”.
“Presidente Vjosa Osmani, mos u nervozo, qetesohu, nuk ben me vepru tinez kryeministrit Albin Kurti! Me pas genjy une, se kishe marre kaq seriozisht, sakt e din qe keshtu ke vepru, kallxoj te tjera here Albinit, se t’ka sjelle n’pushtet! Ndale urrejtjen!Mirupafshim ne gjyq!”, komentoi Berisha.
Presidenca, siç nuk ka ndodhur më parë, i replikoi gazetarit.
“Shpifjet e nivelit të tillë ne i marrim shumë seriozisht. Përballja me ligjin është përgjigja finale”, komentoi Presidenca.
Berisha komentoi përsëri.
“Presidenca e Republikës së Kosovës ne demokraci jemi, ku pushtetet jane te ndara e nderurar Vjosa Osmani, operoje me informacione mbi rastin. Ligjin nuk mund ta konsumoni per frikesim, e dini mire qe fare nuk perluem perpara jush megjithe pushtetin qe e keni. Qetesohuni znj presidente ju e Bekim Kupina, keshilltari grindavec i juaji. Finalen natyrisht se mezi pres ta kemi ne gjyq!”, shkroi gazetari.