Kohët e fundit në opinionin publik po diskutohet më të madhe për hapjen e urës së Ibrit. Qeveria po insiston në hapjen e saj, nga ana tjetër faktori ndërkombëtar po kërkon që kjo çështje të diskutohet në kuadër të dialogut me Serbinë.
Por, si duhet vepruar në këtë situatë, sipas njohësit të zhvillimeve politike, Azem Vllasi?
I kontaktuar nga IndeksOnline, avokati i njohur thotë se puna e hapjes së urës në Mitrovicë pasqyron diletantizëm të paparë politik si nga pushteti, ashtu edhe nga opozita por edhe faktorë ndërkombëtarë.
“Qeveria thotë se do ta hap urën edhe ashtu moti të hapur për qarkullimin e njerëzve. Për trafik janë të hapura dy ura dhe ata që lëvizin me automjete nuk kanë mbet muhasere. Pushteti në Beograd është në siklet nga kundërshtimi masiv për hapjen e minierave të litiumit. Dhe Vuçiqi shumë e dëshiron një shkas për t’i nxjerrë në rrugë në anën veriore të urës jo më shumë se 100 apo 200 banditë për të hedhur gurë mbi policinë tonë dhe ushtarët e KFOR-it sikur në Zveçan që ishte rasti dhe për ta kthyer krejt vëmendjen e opinionit serb nga Kosova. E njëkohësisht edhe faktorët perëndimorë kundër nesh që do të thotë krah Vuçiqit”, ka thënë Vllasi.
Për opozitën, ai thotë se nuk di gjë tjetër, veçse preferon koordinim me ndërkombëtarët, në këtë rast për urën, e cila fare nuk është e mbyllur.
“Ndërsa disa nga diplomatë të shteteve mike edhe më shumë na habisin me qëndrimin se duhet pyetur shtetin tjetër (Serbinë përmes dialogut) se si do të kalohet nëpër një urë në një qytet të Kosovës. Së fundit, është mirë të shihet sa ura janë të dedikuara vetëm për këmbësorë dhe jo edhe për trafik mbi lumin Sena në Paris, Temza në Londer, Vlltava në Pragë e shumë tjera. Pasi që po na thonë që edhe ne duhet të lëvizim kah Evropa, le të veprohet kështu edhe me urën e Mitrovicës”, ka përfunduar Vllasi.
Gjatë ditës së sotme zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka konfirmuar se pritet të dalë raporti i testimeve për stabilitetin e urës së Ibrit./IndeksOnline/