Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka ushtruar të drejtën e tij të votës në kuadër të procesit zgjedhor që po zhvillohet në vend.
Pas votimit, Abdixhiku u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në votime dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike për të vendosur për të ardhmen e Kosovës.
“Fatmirësisht, Kosova organizon zgjedhje të mira dhe të mbara demokratike. Sot presim në këtë ditë të mirë e të bukur edhe zgjedhje të mira demokratike. Deshta, në emër të LDK-së, t’i falënderoj të gjithë komisionerët e të gjitha partive, të cilët po bëjnë një punë të shkëlqyeshme në mbarëvajtjen e këtij procesi. Të uroj Prokurorinë e Kosovës që siguron që ky proces të jetë i drejtë dhe i mbarë, Policinë e Kosovës dhe natyrisht anëtarët e KQZ-së, si dhe ju mediat që keni nisur ditën që nga mëngjesi herët dhe po punoni deri në fund të saj për t’i informuar qytetarët. Është ditë feste, ditë gëzimi për Kosovën. Janë të gjitha kushtet që Kosova të vendosë fatin e saj për katër vitet e ardhshme”, tha Abdixhiku.
