Në një sulm ajror në Gaza të mërkurën, që pretendohet se është kryer nga Izraeli, janë vrarë tre djemtë e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh. Sulmi vjen ndërsa po tentohet të arrihet një armëpushim i ri.
Gaza, 10 prill – Tre djemtë e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, janë vrarë të mërkurën në një sulm ajror izraelit në Rripin e Gazës, kanë thënë familjarët dhe zyrtarët e Hamasit, raporton agjencia “AP”.
Haniyeh e ka akuzuar Izraelin se po vepron “në frymën e hakmarrjes dhe të një vrasësi”.
Haniyeh ka konfirmuar të mërkurën vdekjen e tre djemve të tij në një intervistë për kanalin televiziv “Al Jazeera”.
Ai ka thënë se djemtë e tij kanë rënë “martirë në rrugën për të çliruar Jerusalemin dhe xhaminë Al-Aqsa”.
Nuk ka pasur komente të menjëhershme nga ushtria e Izraelit.
“Armiku kriminal po udhëhiqet në frymën e hakmarrjes dhe vrasjes dhe nuk vlerëson asnjë standard apo ligj”, tha Haniyeh.
Ismail Haniyeh jeton në Katar. Ai tha se vrasjet nuk do t’i bëjnë presion Hamasit për t’i zbutur qëndrimet. Luftimet Izrael – Hamas nisën në tetor të vitit të kaluar.
“Armiku beson se duke i vënë në shënjestër familjet e liderëve do t’i shtyjë ata të heqin dorë nga kërkesat e popullit tonë. Kushdo që beson se vënia në shënjestër e djemve të mi do ta shtyjë Hamasin të ndryshojë qëndrimin, është në iluzion”, ka thënë Haniyeh.
Stacioni televiziv “Al-Aqsa” i Hamasit, ka thënë se djemtë e Haniyehut, Hazemi, Ameeri dhe Mohammedi, u vranë me anëtarët e familjes në një sulm pranë kampit të refugjatëve “Shati” në Gaza. Ismail Haniyeh është nga Shati.
Vëllezërit po udhëtonin me anëtarët e familjes me një automjet kur u shënjestruan nga një dron izraelit, siç ka raportuar “Al-Aqsa”. Në total raportohet se janë vrarë gjashtë persona, përfshirë vajza e Hazem Haniyehut dhe djali e vajza e Ameer Haniyehut.
Sulmi vjen ndërsa ndërmjetësuesit ndërkombëtarë po mundohen të arrijnë një armëpushim të ri. Nuk është ende e qartë se çfarë efekti do të ketë sulmi në këto bisedime.
Më herët, ministri izraelit Benny Gantz ka thënë se Hamasi është mposhtur në aspektin ushtarak.
“Nga këndvështrimi ushtarak, Hamasi është mposhtur. Luftëtarët e tij janë eliminuar apo po fshihen”, ka thënë Gantz, duke shtuar se kapacitetet e Hamasit janë “shkatërruar”.
Mirëpo, ai ka shtuar se “luftimi kundër Hamasit do kohë”.
“Djemtë që janë tash në shkollë të mesme do të luftojnë ende në Rripin e Gazës”, tha Gantz.
Ai ka përsëritur planet e Qeverisë së Izraelit për t’u futur në Rafah, qytetin në cepin jugor të Gazas ku është strehuar mbi gjysma e popullatës së Gazës.
“Kudo që do të ketë shënjestra terroriste – ushtria e Izraelit do të jetë atje”, ka thënë Gantz.
Lufta mes Izraelit e Hamasit shpërtheu më 7 tetor të vitit të kaluar, kur militantët e Hamasit u futën në territorin izraelit dhe vranë mbi 1200 persona dhe rrëmbyen rreth 250 tjerë.
Në kundërpërgjigje Izraeli nisi ofensivën e plotë në Gaza, ndërsa në këtë ofensivë janë vrarë afro 34 mijë palestinezë, sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë së Gazas që drejtohet nga Hamasi.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po gabon me mënyrën se si po e udhëheq luftën në Gaza.