Mbrëmë u lansua albumi i katërmbëdhjetë i këngëtarit të mirënjohur kosovar, Xhavit Sadiku, me titull “O ju shokë”, shkruan “Kosovarja”.
Albumi më i ri i Xhavit Sadikut, me titull “O ju shokë”, i ka 15 këngë, tri prej të cilave janë këngë të reja dhe albumi nis me këto të tria.
Albumi është punuar në Produksionin Muzikor “Labia”, që njëherësh është edhe editor i albumit.
Kur jemi te albumi, tri këngët e reja të këngëtarit Xhavit Sadiku janë kryer në studion “Sumer” të Nexhi Vuniqit në Lipjan.
Nën përcjelljen e orkestrit të njohur muzikor “Xhevahirët”, Xhavit Sadiku ka arritur ta lansojë albumin më të suksesshëm deri më tani, i cili me postimin e parë në rrjete sociale, ka marrë pëlqyeshmëri të jashtëzakonshme qysh në fillim.
Xhavit Sadiku i përket skenës së artistëve më të popullarizuar të këngës në Kosovë e më gjerë dhe ka një audiencë të gjerë dëgjimi.
Për 13 vjet rresht ai ka nxjerrë albume pa huqur asnjë vit, ndërsa viteve të fundit ka qenë pandemia që ka bërë të vonohet në plasimin e albumeve të rinj.
Rreth punës me këtë album, Xhavit Sadiku tha për revistën tonë, “Kosovarja”, se ky album vjen pas një kohë pauze, shkaku i pandemisë që e goditi edhe artin.
“Kam punuar shumë në këngët e reja dhe ky kombinim këngësh në këtë album është përzgjedhur me ëndje, duke provuar të del një produkt arti i mirëfilltë për ithtarët e këngëve të mia dhe, në përgjithësi, për dëgjuesit.
Kam punuar disa muaj për ta finalizuar këtë projekt dhe falënderimi i takon edhe orkestrit “Xhevahirët”, që kanë punuar pa përtesë, duke qenë në ushtrime dhe në program përgatitor.
Por, kur ke punë me profesionistë, çdo gjë kalohet më lehtë dhe njëjtë ka qenë edhe në këtë rast, që i kemi punuar tri këngët e veçanta.
Orkestri instrumental, harmonika – Iliri Arifi, tupanët – Fatmir Thaçi, klarinetë – Gjergj Presheva, sint – Skender Halimi, janë të gjithë profesionistë pune në punën instrumentale, çka e ka bërë albumin më ritmik dhe më të kapshëm për dëgjuesit”, thotë Xhavit Sadiku.
Tri këngët e reja të albumit janë: “O ju shokë”, “Dashuria është prush” dhe “Më mungon”.
Dymbëdhjetë këngët e tjera të albumit janë: “Në bash t’qefit”, “Vajtja i rash Rumelisë”, “Doli hana doli ylli”, “Elbasan i bukur”, “Qaje çuno qaje”, “Ç’ke moj Fiti”, “Jam dorëzu”, “Kitarja ime”, “O yll i bukur”, “Potpuri dasmash”, “Ëndrra më e bukur”, “Prej Kosove në Prevezë”.
Albumi “O ju shokë” nuk është në shitje, por këngëtari i ka nxjerrë 1000 CD për shokë e miq që janë dhënë gratis.
Këngëtari ka thënë se ky album, i bërë në CD, nuk është punuar për komercializëm, por si dhuratë për miq.
“Unë kam shumë miq e shokë, të cilët, përveç në rrjete sociale, duan ta kenë albumin tim edhe në veturë dhe ua kam plotësuar dëshirën, duke u bërë dhuratë 1000 CD, që dua t’ua kujtojë dëgjuesve se nuk janë në shitje”, ka pohuar Xhavit Sadiku. Safet Krivaça /Kosovarja/